News

shk12022

Danimarka heq kufizimet për shkak të Covid-it, pavarësisht shtimit të rasteve

Danimarka ka hequr të gjitha kufizimet e saj të brendshme për shkak të Covid-19, përfshirë mbajtjen e maskave për fytyrën, duke u bërë kështu vendi i parë i Bashkimit Evropian që e hedh këtë hap.


Klubet e natës janë rihapur, ka rifilluar shitja e alkoolit në orët e vona të natës dhe tashmë, për të hyrë në ambiente, nuk është më i nevojshëm aplikacioni i gjurmimit të kontakteve. Ndërsa rastet janë ende relativisht të larta, autoritetet thonë se virusi nuk kualifikohet më si një "kërcënim kritik".

"Kjo, falë shkallës së lartë të vaksinimit në vend", thonë ekspertët.
"Ne kemi një mbulim jashtëzakonisht të lartë të të rriturve të vaksinuar me tre doza", tha për agjencinë e lajmeve AFP epidemiologia Lone Simonsen, nga Universiteti i Roskildes. "Meqenëse Omicron-i nuk është sëmundje e rëndë për të vaksinuarit, besojmë se është e arsyeshme të hiqen kufizimet", shtoi ajo.

Nga e marta, maskat nuk kërkohen më në dyqane, restorante dhe në transportin publik. Kanë marrë fund gjithashtu edhe kufizimet në numrin e njerëzve të lejuar në grumbullime në mjedise të brendshme dhe masat e distancimit social.
Aplikacioni kombëtar i gjurmimit të kontakteve nuk kërkohet më, megjithëse organizatorët e eventeve, nga ana e tyre, mund të zgjedhin ende ta vendosin këtë si një kusht hyrjeje.

Në fuqi do të mbeten disa kufizime të rralla, për shembull, për udhëtarët e pavaksinuar që përpiqen të kalojnë kufirin nga jashtë zonës së lirë të udhëtimit të Danimarkës, ose përdorimi i maskave të fytyrës në spitale dhe azile.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i përshëndeti masat e marra, duke shkruar në Facebook: "Mirëmëngjes, Danimarkës plotësisht të hapur!" dhe duke falënderuar popullatën që është vaksinuar.
"Jam shumë e lumtur që e gjitha kjo do të përfundojë nesër", tha studentja 17-vjeçare Thea Skovgaard për AFP-në të hënën. "Është diçka e mirë për jetën në qytet, për jetën e natës, thjesht të jesh në gjendje të qëndrosh më gjatë jashtë".

Lehtësimi i kufizimeve në Danimarkë pason vendime të ngjashme në Angli dhe vende të tjera të Britanisë së Madhe në janar. Edhe vende të tjera anëtare të BE-së, si: Irlanda, Franca dhe Holanda, kanë nisur t'i heqin kufizimet e tyre.


Burimi: BBC


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>