qer242022
Shoqata e Oftalmologjisë Shqiptare: Të nisë depistimi i pacientëve me diabet një herë në vit. Të krijohet regjistri kombëtar i pacientëve me retinopati diabetike
Në një kohë kur sëmundja e diabetit po shndërrohet si epidemi jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, mjekët oftalmologë i kërkojnë Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjë për të parandaluar dëmet që shkakton diabeti në sy te pacientët, pasi 40% e tyre preken nga retinopatia diabetike dhe 1% e këtyre pacientëve janë verbuar.
"Përllogaritet se 10% e pacientëve të prekur kanë retinopati të avancuar që do të thotë se shikojnë shumë pak, vetëm 20%. Ndaj, duhet të ndalohet verbëria për shkak të retinopatisë", u shpreh Prof. Dr. Pajtim Lutaj nga Shoqata e Oftalmologjisë Shqiptare.
Një pacient me retinopati diabetike trajtohet me injeksione në sy për të mos shkuar në verbim, trajtime këto të cilat rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, por që prej një viti ky trajtim është reduktuar në kohë.
"Nuk mundet që një sëmundje kronike ta trajtojmë vetëm për një vit. Pacienti mund të ketë nevojë për tre muaj, për një vit apo për 5 vjet. Ndaj duhet t'i kapim në kohë pacientët e prekur me retinopati, sepse kështu edhe kursejmë këto injeksione që në fakt janë të kushtueshme", u shpreh Prof. Dr. Lutaj.
Shoqata e mjekeve oftalmologë kërkon të nisë depistimi i pacientëve çdo vit dhe të krijohet regjistri i pacientëve me retinopati që të parandalohet verbimi i qytetarëve.
Ne kemi gati programin kombëtar të depistimit të pacientëve me retinopati, kemi modelin e vendeve europiane, nuk po e shpikim ne. Është shumë e thjeshtë, mjafton që të dërgohet një foto në icloud dhe specialistët të dërgojnë përgjigjen dhe të orientojnë se si ndiqet. Madje kjo mund të menaxhohet nga e-albania e cila çdo vit i kujton pacientët me diabet si për çdo gjë tjetër, se duhet të bëjnë kontrollin e syrit. Janë 50% e pacientëve me diabet të padiagnostikuar. Ndaj, kërkohet bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë", u shpreh Prof. Dr. Lutaj.
Është mbajtur për herë të parë Kongresi i Mjekëve Oftalmologë në Shqipëri ku morën pjese mjekë të njohur shqiptarë dhe të huaj në fushën e oftalmologjisë dhe të diabetit. Sipas të dhënave që u referuan në vitin 2020 në të gjithë botën u raportuan 1 milion persona të verbuar për shkak të retinopatisë diabetike.
Alma Demiraj