mar52018
Skolioza e adoleshentëve. Mjekët vënë në dyshim ekzaminimin
Sipas një dokumenti të publikuar në "JAMA" nga Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së (USPSTF), nuk është e mundur të shprehemi pro apo kundër ekzaminimit të adoleshentëve për skoliozë idiopatike, përderisa nuk ka ende prova të mjaftueshme që na çojnë në përfundimin nëse të mirat i kapërcejnë dëmet që do të kemi nga kjo.
Bëhet fjalë për të riparë edhe një herë rekomandimet e vitit 2004, që këshillonin një vëzhgim rutinë në këtë grup të popullsisë. "Kemi zbuluar tashmë prova të mjaftueshme të faktit që trajtimi me një tutor të shpinës mund të ngadalësojë përparimin e harkimit spinal, por ama nuk kemi prova të mjaftueshme për ta lidhur këtë ngadalësim, me rezultate afatgjata në moshë të rritur", konfirmon David Grossmani (USPSTF), që ka udhëhequr grupin e punës. Kërkuesit paralajmërojnë se nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme as sa i përket trajtimit me ushtrime fizike dhe kirurgjisë.
Në këtë mënyrë, USPSTF-ja ka dalë në përfundimin se janë të nevojshme kërkime të reja, duke nënvizuar se ky vendim është marrë pas provave të dala sa iu përket trajtimeve për skoliozën, në veçanti, në lidhje me tutorët e shpinës. Tre studime perspektive kanë sugjeruar në fakt një dobi të trajtimit me tutor, sa i përket përparimit të harkimit, duke e ngadalësuar atë krahasuar me kontrollet, ndërsa dy kanë treguar dallime të vogla mes dy grupeve. Vetëm dy studime kanë ekzaminuar efektin e trajtimit me ushtrime fizike dhe të dyja treguan përmirësim të dukshëm në krahasim me kontrollet. Nuk ka patur studime në lidhje me trajtimin kirurgjik për këtë patologji tek adoleshentët.
"Duke qenë se shumë shtete mbështesin ekzaminimin për këtë patologji dhe duke parë rekomandimet e fundit nga USPSTF-ja, do të ishte mirë që t'u bëhej i njohur nxënësve dhe prindërve fakti se të dhënat mbi dobitë dhe dëmet e ekzaminimit janë të pamjaftueshme", shkruajnë në një editorial John Sarwark e Matthew Davis (Spitali i Fëmijëve, Çikago). Në një editorial tjetër, të publikuar në "Jama Pediatrics", Timothy Hresko (Spitali i Fëmijëve Boston) nënvizon rëndësinë që ka diagnostikimi i hershëm, duke bërë të ditur se asnjë nga studimet e marra parasysh nga USPSTF-ja, nuk ka paraqitur informacione në lidhje me rëndimin e sëmundjes së patrajtuar te të rriturit.
JAMA 2018. doi:10.1001/jama.2017.19342
https://jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/2668355
JAMA 2018. doi:10.1001/jama.2017.20190
https://jamanetwork.com/journals/jama/fullarticle/2668333
JAMA Pediatrics 2018. doi:10.1001/jamapediatrics.2017.5585
https://jamanetwork.com/journals/jamapediatrics/fullarticle/2668395