mar162020
Serialet televizive sensibilizojnë publikun mbi sëmundjet e rralla
Programet televizive që gëzojnë një popullaritet të veçantë, mund të rrisin interesin e publikut për sëmundje të rralla, siç është rasti i serialit të Netflix "Gjëra të çuditshme" ("Stranger Things") për displazinë kleidokraniale, një gjendje kongjenitale që shkakton rritje me mungesa apo anormale të dhëmbëve dhe klavikulave.
"Pas secilit prej tre sezoneve të para të serialit, ka pasur një rritje të kërkimeve në internet për informacion mbi sëmundjen", thotë Austin Johnson, bashkautor i një letre kërkimore të botuar në "JAMA Otolaryngology-Head & Neck Surgery" dhe student i mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Oklahomës në Tulsa. Studiuesi dhe kolegët e tij analizuan të dhënat e Google Trends, duke zbuluar se interesi për sëmundjen u rrit me 11.2% në javën pas transmetimit të sezonit të parë dhe me 12.9% në javën pas sezonit të dytë, të nisur në tetor 2017.
Me publikimin e sezonit të tretë dhe të fundit në korrik 2019, interesi për gjendjen, përsa iu përket kërkimeve javore, u rrit me 94.4%. Autorët e studimit analizuan gjithashtu të dhëna nga faqet e internetit të fondacioneve për displazinë kleidokraniale. Njëra nga këto, "About Kids Health", ka të dhëna të matshme nga të cilat del se para debutimit të "Gjëra të çuditshme", kërkimet në faqet e internetit për sëmundjen ishin mesatarisht nga 5 në 80 në javë, me rritje të vogla në trafik pas sezonit të parë dhe të dytë. Por, në javën pas daljes së sezonit të tretë, trafiku në faqet për displazinë kleidokraniale arriti në 10,000 vizita. "Rritja e vetëdijes për sëmundjet e rralla, të cilat prekin rreth 400 milionë njerëz në të gjithë botën, mund të rrisë fondet për kërkime, të rrisë opsionet e trajtimit dhe të zvogëlojë diskriminimin", theksojnë autorët. Dhe Johnsoni përfundon: "Zbulimi më domethënës i këtij studimi është se media, përmes programeve dhe aktorëve të saj, ka mundësinë unike të veprimit si një katalizator për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për sëmundjet e rralla".
JAMA Otolaryngol Head Neck Surg 2020. Doi: 10.1001/jamaoto.2019.4791
https://jamanetwork.com/journals/jamaotolaryngology/article-abstract/2761584