pri162021
Covid-19. Aromaterapia, efektive te fëmijët me humbje të nuhatjes
Mjekët në Spitalin e Fëmijëve të Kolorados dhe në Spitalin e Fëmijëve në Siatëll, do të përdorin parfume për të trajtuar fëmijët që kanë humbur nuhatjen për shkak të Covid-19. Prindërit do të kthehen në shtëpi me një sërë vajrash esenciale që fëmija i tyre mund t'i nuhasë dy herë në ditë për tre muaj dhe mjekët do të kontrollojnë përparimin e tyre çdo muaj. Ky është programi i Klinikës së Çrregullimit të Nuhatjes, i nisur më 10 mars, në Spitalin e Fëmijëve në Kolorado.
"Trajtimi, i njohur si trajnim për nuhatjen, ka qenë efektiv te të rriturit, por nuk ka të dhëna se si funksionon te fëmijët", tha John McClay, pediatër otorinolog në Frisko, Teksas dhe president i grupit të trajnimit mbi otorinolaringologjinë në Akademinë Amerikane të Pediatrisë, duke kujtuar se megjithëse fëmijët kanë shumë më pak të ngjarë se të rriturit për të zhvilluar një infeksion coronavirusi dhe për të vuajtur prej tij, numri i tyre është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Bashkë me të, janë shtuar edhe rastet pediatrike me simptoma të vazhdueshme, të njohura si long-Covid, përfshirë anozminë. Lidhja midis nuhatjes dhe Covid-it është dokumentuar mirë, por ende nuk ka siguri se sa njerëz zhvillojnë komplikacione, ose se si i shkakton virusi ato, megjithëse fenomeni mund të shpjegohet si një inflamacion i strukturave që mbështesin qelizat përgjegjëse të funksionit të nuhatjes.
"Trajnimi i nuhatjes funksionon te të rriturit që humbin nuhatjen e tyre si për një çrregullim neurologjik si Alzheimeri, ashtu edhe për neoplazitë e hundës ose infeksionet virale", vazhdon eksperti, duke shpjeguar se si funksionon: pasi kanë testuar nuhatjen e pacientit, mjekët ofrojnë një sërë vajrash esenciale me aroma të caktuara dhe udhëzime se si të ushtrohen në shtëpi. Pacientët zakonisht e nuhatin çdo vaj dy herë në ditë për disa javë ose muaj dhe testohen përsëri për përmirësim në fund të programit.
"Kjo metodë, nuk ka se pse të mos funksionojë edhe te fëmijët. Edhe te fëmijët, si te të rriturit, nervi i nuhatjes mund të rigjenerohet çdo gjashtë, deri në tetë javë. Dhe, ndërsa nervi shërohet, trajnimi ndihmon në forcimin e nuhatjes", përfundon McClay.
Medscape 2021
https://www.medscape.com/viewarticle/948160