pri232020
Covid-19 dhe lidhja me humbjen e shijes dhe nuhatjes
Sipas një studimi të botuar në "International Forum of Allergy & Rhinology", ndryshimet në nuhatje dhe shije janë të lidhura fort me pozitivitetin ndaj Sars-CoV-2. Përhapja e shpejtë e virusit dhe shqetësimi për transmetimin nga pacientët me simptoma minimale ose fare pa simptoma, e bëjnë shumë të rëndësishëm kërkimin për shenja të hershme ose subklinike të infeksionit.
"Ndër simptomat kandidate për këtë qëllim janë ageusia dhe anosmia, të cilat deri më tani janë raportuar vetëm në mënyrë anekdotike. Ne jemi përpjekur të kuptojmë më mirë lidhjen midis humbjes së nuhatjes dhe shijes dhe Covid-19 dhe kohës në të cilën ndodh, për të lehtësuar shqyrtimin dhe izolimin e hershëm të rasteve", shpjegon Carol Yan, nga Universiteti i Kalifornisë, autore kryesore e studimit.
Studiuesit i nënshtruan studimit gjithsej 1,480 pacientë me simptoma të ngjashme me gripin nga 3 deri më 29 Mars 2020, për të zbuluar Covid-19. Janë përfshirë në studim të dhënat e 59 nga 102 pacientë pozitivë për Covid-19 dhe 203 nga 1.378 pacientë negativë për Covid-19. Kështu, analiza e të dhënave zbuloi se 68% e pacientëve që kanë rezultuar pozitivë, raportuan një humbje të nuhatjes dhe 71%, të shijes. Në grupin e pacientëve negativë, vetëm 16% thanë se kishin humbur ndjesinë e nuhatjes dhe 17%, se kishin humbur atë të shijes.
Ekspertët theksojnë praninë e lidhjeve të pavarura dhe të forta sa i përket ndryshimit të shijes e nuhatjes dhe pozitivitetit ndaj Covid-19 (raporti i normës, i rregulluar, për anosminë ka qenë 10.9 dhe për ageusinë, 10.2). Përkundrazi, dhimbja e fytit ka rezultuar e lidhur me negativitetin për Covid-19 (raporti i normës 0.23). 74% e pacientëve që raportuan humbje të nuhatjes në lidhje me sëmundjen nga coronavirusi, thanë se anosmia u zhduk me zgjidhjen klinike të sëmundjes.
"Studimi ynë mbështet faktin se humbja e nuhatjes dhe shijes mund të përdoret si pjesë e një shqyrtimi të intensifikuar për të zbuluar infeksionet Covid-19, në përpjekjen për të zvogëluar rrezikun e transmetimit të sëmundjes nga rastet e simptomave të pakta", përfundojnë autorët.
International Forum of Allergy & Rhinology 2020. Doi: 10.1002/alr.22579
https://doi.org/10.1002/alr.22579