dhj162021
Bullizmi. Në shënjestër të tij janë edhe fëmijët alergjikë
Duket se fëmijët me alergji janë bërë shënjestra e bullizmit. Alarmi vjen, përveçse nga studime të ndryshme, edhe drejtpërdrejt nga kongresi i Shoqatës Italiane të Alergologjisë, Astmës dhe Imunologjisë Klinike (SIAAIC). Sipas ekspertëve, prindërit dhe mësuesit duhet të ndërgjegjësohen për çështjen e bullizmit në rastet e alergjive dhe jo vetëm për alergjitë ushqimore.
"Bullizmi i lidhur me alergjitë ushqimore ose sëmundje të tjera alergjike mund të ketë një ndikim të thellë në cilësinë e jetës së pacientëve të rinj, me pasoja afatgjata në mirëqenien e tyre psiko-fizike", tha Gianenrico Senna, president i SIAAIC-ut. "Prandaj është e nevojshme që të kemi një ndërgjegjësim më të madh për fenomenin e bullizmit ndaj të prekurve nga alergjitë, si dhe për problemin e alergjive në vetvete, në komunitetet shkollore dhe në vende të tjera në rrezik: përveç bisedës me prindërit, në mënyrë që ata të mësojnë të njohin shenjat e shqetësimit, është i nevojshëm trajnimi i mësuesve dhe shpërndarja e informacionit të saktë mbi alergjitë në komunitet, për të ulur stigmën ndaj pacientëve dhe për t'i mbrojtur ata nga bullizmi", vijoi ai. Ngacmimi i individëve që vuajnë nga alergjia është theksuar në studime të shumta, si ai në SHBA, që u botua kohët e fundit në Journal of Pediatric Psychology dhe u krye me 121 individë të grupmoshës 9-15 vjeç që ishin diagnostikuar me alergji ushqimore, si edhe me prindërit e tyre. Është zbuluar se 33% janë ngacmuar të paktën një herë për shkak të alergjisë së tyre, në shumicën e rasteve nga shokët e klasës dhe në shkollë. Megjithatë, vetëm 12% e prindërve ishin të vetëdijshëm për këtë.
"Ne jemi mësuar të mendojmë se bullizmi ka si objektiv ata që kanë një defekt fizik, ose ata që konsiderohen "të ndryshëm": siç janë fëmijët më të shëndoshë ose fëmijët me aftësi të kufizuara", shpjegoi Ilaria Baiardini, nga Universiteti i Gjenovës dhe Universiteti Humanitas i Milanos. "Por, sot, fëmijët me sëmundje kronike të "padukshme" identifikohen dhe etiketohen si të tillë, siç mund të flitet në rastet e alergjisë". Këta individë mund të duken "të dobët dhe të sulmueshëm", pasi sëmundja e tyre përcakton disa kufizime, përfshirë pjesëmarrjen në aktivitete në grup.
Psikologu dhe psikoterapisti theksoi gjithashtu faktin se ngacmuesit nuk vijnë vetëm për të tallur fëmijën, por në disa raste ata shkojnë më tej, për shembull duke i detyruar të hanë ushqimin që duhet shmangur, episode këto që mund ta vënë viktimën në rrezik për pasoja të rënda.
Journal of Pediatric Psychology 2021. Doi: 10.1093/jpepsy/jsab099
https://doi.org/10.1093/jpepsy/jsab099