shk212023
Konceptimi artificial nuk e ndryshon shëndetin kardiometabolik të fëmijëve
Sipas një studimi të publikuar në "European Heart Journal", në të cilin janë shqyrtuar efektet e trajtimeve të fertilitetit te pasardhësit, ndërmjet fëmijëve të konceptuar në mënyrë natyrale dhe atyre të lindur falë teknologjive të riprodhimit të asistuar (ART) nuk janë gjetur dallime të rëndësishme pas matjeve të presionit të gjakut, rrahjeve të zemrës, lipideve dhe glukozës.
"Pyetjet në lidhje me rreziqet shëndetësore për foshnjat e konceptuara në këtë mënyrë janë ngritur që nga lindja e parë e një fëmije nëpërmjet IVF-së. Fatkeqësisht, studimet e mëparshme janë të kufizuara nga madhësitë e vogla të mostrës, ndjekja e shkurtër dhe grupet e pakënaqshme të krahasimit", thotë Ahmed Elhakeem nga Universiteti i Bristolit, autor kryesor i studimit.
Studiuesit analizuan të dhënat e 35,000 fëmijëve nga Europa, Singapori dhe Australia për të kuptuar nëse konceptimi nëpërmjet ART ndikonte në presionin e gjakut, rrahjet e zemrës, lipidet ose glukozën nga foshnjëria deri në moshën e rritur (deri në moshën 20 vjeçare).
Ekspertët zbuluan se të gjithë këta parametra ishin të ngjashëm te fëmijët e konceptuar nëpërmjet ART dhe te bashkëmoshatarët e tyre të konceptuar në mënyrë natyrale. Analiza e të dhënave tregoi gjithashtu se fëmijët e konceptuar nëpërmjet ART kishin nivele pak më të larta të kolesterolit gjatë fëmijërisë që nuk vazhduan në moshë madhore, dhe kishin disa tregues të presionit të gjakut më të lartë në moshë madhore.
Sipas autorëve, prindërit që shpresojnë të mbeten shtatzënë përmes teknologjive të asistuara riprodhuese duhet të dinë se shëndeti kardiometabolik duket se është i krahasueshëm te fëmijët e konceptuar nëpërmjet ART dhe atyre të konceptuar në mënyrë natyrale.
"Për të analizuar më tej se si mund të ndryshojnë këto rezultate në moshën madhore do të nevojiten studime me ndjekje kohore më të gjatë", përfundojnë studiuesit.
European Heart Journal 2023. Doi: 10.1093/eurheartj/ehac726
http://doi.org/10.1093/eurheartj/ehac726