News

maj192023

Obeziteti, OBSH: 25% e të rinjve shqiptarë janë obezë. Në vitin 2035, 37% e shqiptarëve do të jenë obezë

Obeziteti po shndërrohet në epidemi të heshtur dhe OBSH-ja ka dhënë alarmin pasi shifrat po rriten edhe në Shqipëri. Gati 25% e meshkujve 20 vjeç e lart në vendin tonë janë obezë dhe pothuajse në këto shifra janë dhe femrat. Alarmante paraqitet situata te fëmijët e vegjël pasi 14% e moshës 5 vjeç e lart janë obezë dhe shifrat e obezitetit pritet të rriten çdo vit me 2.6%. 

Me këtë rritje të shifrave të obezitetit, Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon që deri në vitin 2035, afro 37% e shqiptarëve të jenë obezë. Gjithçka nis me ushqimin e fëmijëve që në vogëli, ku fatkeqësisht fëmijët tanë i gjen me patatina në duar, apo ushqime të konservuara dhe pije të gazuara. Përpos kësaj, pjesa më e madhe e fëmijëve sot po rriten pa aktivitet fizik, por duke qëndruar ulur me orë të tëra me telefon apo Ipad në dorë.

Ekspertët e shëndetit u kërkojnë prindërve që të kujdesen për ushqimin që në shtatzëni duke shmangur ushqimet e dëmshme e më pas t'i orientojnë fëmijët e tyre të vegjël vetëm drejt ushqimeve të shëndetshme. Por, nga ana tjetër duhet promovuar aktiviteti fizik te fëmijët duke u ndaluar përdorimin e pajisjeve elektronike deri në një moshë të caktuar.

Në vitin 2035 parashikohet që 40% e meshkujve 20-vjeçarë të jenë obezë dhe 33% e vajzave po ashtu. Ky trend i rritjes së shifrave të obezitetit duket për të gjithë vendet e Europës. Sipas statistikave të fundit, 60% e të rriturve dhe 30% e fëmijëve janë obezë, thuhet në raportin e OBSH-së. Mbipesha është një rrezik kërcënues për shëndetin e njeriut. Ajo është faktor i rëndësishëm për shumë sëmundje. Obeziteti lidhet me diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe probleme të tjera kardiake, ndaj OBSH-ja iu bën thirrje qeverive të ndërhyjnë për të frenuar obezitetin te moshat e vogla, pasi në rininë e tyre shifrat e sëmundshmërisë parashikohen të jenë shumë të larta.

Në vitin 2023, të rriturit mbi 20 vjeç

25% e meshkujve janë obezë
24% e femrave janë obeze

Fëmijët mbi 5 vjeç

14% e djemve janë obezë
8% e vajzave janë obeze

Obeziteti në vitin 2035 parashikohet

40% e meshkujve mbi 20 vjeç të jenë obezë
33% e femrave mbi 20 vjeç të jenë obeze

 

Alma Demiraj

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>