kor182016
Troponina na ndihmon të kuptojmë se kur duhet të përjashtojmë infarktin
Impakti i testeve të reja për troponinën, të disponueshme prej kohësh në praktikën klinike, ka qenë deri tani objekt i diskutimeve të gjera, në të cilat hedhin pak dritë dy studime të publikuara së fundi në revistën "Jama Cardiology", të cilat kanë ekzaminuar dobinë e troponinës kardiake me sensibilitet të lartë për të diagnostikuar apo përjashtuar një atak kardiak te pacientët me dhimbje në gjoks. Udhëzuesit e Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA) rekomandojnë kryerjen e matjeve në seri të troponinës kardiake pas shfaqjes së simptomave si dhe në 3-6 orët pasuese. Kjo sjell për pjesën më të madhe të pacientëve një kontroll të zgjatur me një numër të madh shtrimesh në spital të cilat mund të shmangen.
"Është shumë e nevojshme një strategji që identifikon në mënyrë të sigurt personat që mund të largohen nga spitali pas marrjes së një kampioni të vetëm gjaku në urgjencë", thotë Edward Carlton, i cili bashkë me kolegët e Nhs Trust në Bristol, ka vlerësuar efikasitetin diagnostik të troponinës kardiake me sensibilitet të lartë në 5 studime ndërkombëtare të zhvilluara në Australi, Zelandën e Re dhe Angli, në një total prej 3.155 shtrimesh në urgjencë me dyshime për ishemi kardiake. "Për pragun e 1.2 nanogrameve për litër (ng/l) në 10.630 pacientë të vlerësuar, 8.630 kishin nevojë për ekzaminime të mëtejshme dhe nga këta vetëm 990 arritën në një diagnozë për infarkt akut të miokardit. Pra efikasiteti diagnostik i këtij cut off-i nuk mjafton për një përcaktim të vetëm", shton Carlton.
Një prag tjetër është shqyrtuar nga një grup i drejtuar nga Dirk Westermann në spitalin universitar Hamburg-Eppendorf në Gjermani që duke ekzaminuar 1.040 pacientë të paraqitur në urgjencë me një dhimbje akute në gjoks ka vënë në zbatim një algoritëm për një përjashtim të shpejtë dhe të kujdesshëm të infarktit akut të miokardit pas një ore. Sipas përfundimeve të studimit, duke përdorur një cut off të troponinës të barabartë me 6 ng/l arrihet një vlerë parashikuese negative prej 99.8% për infarkt akut të miokardit pas 1 ore, pa ndryshime në dy orët në vijim.
"Cut off-i prej 6 ng/l mundëson një përzgjedhje të shpejtë për të përjashtuar një infarkt akut të miokardit, apo në rast të një rezultati pozitiv një fillim të shpejtë të terapisë", shkruan Westermann.
Në një editorial David Morrow nga "Study Group del Brigham and Women's Hospital" nënvizon se është e parakohshme të mendohet që të modifikohen rekomandimet aktuale: "Ndërsa jemi në pritje të studimeve të tjera, për momentin matjet në seri të troponinës kardiake të sugjeruara nga Shoqata Amerikane e Zemrës mbeten standardi i kurës në Shtetet e Bashkuara".