kor52019
Monitorimi 24-orësh i zemrës, bëhet i mundur falë një mikroçipi pa tel
Një mikroçip uireles u implantua me sukses në zemrën e një pacienti afër të tetëdhjetave, i cili vuante nga dështimi i zemrës. Ndërhyrja është bërë nga profesor Filippo Crea në Fondacionin Poliklinik Universitar "Agostino Gemelli IRCCS", në Romë.
Aktiviteti kardiak i pacientit, i cili ka dalë nga spitali të nesërmen, pas operacionit, tani mund të monitorohet vazhdimisht nga distanca nga kardiologët. Vendosja e mikroçipit të quajtur V-Lap dhe të ofruar nga kompania Vectorious, bëhet nëpërmjet një ndërhyrjeje minimale invazive prej rreth një ore. Ky është mikrokompjuteri i parë uireles në botë që paraqet një mundësi për menaxhimin e pacientëve me insuficiencë.
"Natyrisht, më parë duhet të demonstrojmë efikasitetin dhe sigurinë e saj afatgjatë", shpjegon Crea. Pajisja futet në septumin interatrial dhe është e pajisur me një bateri të rikarikueshme, gjithnjë në mënyrën uireles, përmes një brezi që vishet në trupi dhe falë të cilit, pacienti mund të dërgojë të dhënat e regjistruara. Në këtë mënyrë mund të parandalohen insuficiencat e rrezikshme, të cilat përndryshe do të kërkonin hospitalizim.
Kjo ndërhyrje, e dyta në Itali pas asaj në Firence të kryer nga profesor Carlo di Mario dhe e treta në Evropë, është pjesë e eksperimentimit klinik ndërkombëtar Vectorious, i cili aktualisht përfshin Gjermaninë dhe Italinë, të ndjekura nga Anglia e Izraeli dhe që do t'i japë rezultatet e para për dy vjet. Dështimi i zemrës është shkaku kryesor i hospitalizimit në Itali dhe prek një në 10 persona pas moshës 65-vjeçare. Pavarësisht nga monitorimi i pacientit përmes vizitave periodike, ekziston mundësia për të patur një ndryshim të papritur të aktivitetit kardiak, i cili mund të përcaktojë hospitalizimin. Ky është një rend ngjarjesh që mund të shmangen falë mikroçipit. Duke e monitoruar zemrën 24 orë në 24, do të jetë e mundur të modifikohet terapia e pacientit jo vetëm kur është e nevojshme, por edhe në kohë reale.
"Nëse eksperimentimi do të ketë rezultate pozitive, ai do të japë mundësi për një hap të mundshëm përpara në telemjekësinë dhe mjekësinë e personalizuar", përfundon Crea.
Deklaratë për shtyp