pri192017
Evolocumab redukton riskun kardiovaskular te pacientët në terapi me statina
Administrimi i evolocumab te pacientët që janë në terapi me statina jo vetëm redukton kolesterolin LDL me vlera mesatare prej 30mg/dl, por ul ndjeshëm edhe riskun për evente kardiovaskulare. Rezultatet e studimit FOURIER (Further Cardiovascular Outcomes Research with PCSK9 Inhibition in Subjects with Elevated Risk), të publikuara në revistën New England Journal of Medicine tregojnë se si pacientët me sëmundje kardiovaskulare aterosklerotike mund të kenë përfitim nga reduktimi i kolesterolit LDL nën objektivat aktualë. "Evolocumab është një antitrup monoklonal që inhibon proproteinën (PCSK9) duke ulur nivelet e kolesterolit LDL me rreth 60%", thotë autori kryesor i artikullit, Marc Sabatine nga Harvard Medical School në Boston, i cili saktëson se deri më tani efikasiteti i evolocumab në eventet kardiovaskulare ishte i pasigurt. Për kë arsye u ndërmor FOURIER, një trial multicentrik, i kontrolluar me placebo ku u përfshinë 27.564 pacientë me sëmundje kardiovaskulare aterosklerotike me nivele kolesteroli LDL të barabarta ose më të larta se 70mg/dl dhe që ishin në terapi me statina. Pacientët që u ndanë në grupe për të marrë injeksione me evolocumab 140 mg çdo dy javë apo 420 mg në muaj, ose placebo.
Indikatori primar i efikasitetit ishte një kompozitë e vdekjes kardiovaskulare, infarktit të miokardit, iktusit, shtrimit në spital për anginë të paqendrueshme ose rivaskularizim koronarik; dhe ai sekondar ishte një ndërthurje e vdekjes kardiovaskulare, infarktit të miokardit ose iktusit. Kohëzgjatja mesatare e follow-up ishte 2.2 vjet. Në krahasim me placebon, evolocumab reduktoi ndjeshëm të dyja end pointet pa diferenca mes grupeve sa i takon efekteve anësore me përjashtim të reaksioneve në vendin e injektimit.
Robin Dullaart, nga departamenti i endokrinologjisë në University Medical Center në Groningen, Holandë, shkruan në një editorial: "Në 2015-n FDA aprovoi përdorimin e evolocumab dhe alirocumab për trajtimin e disa pacientëve me kolesterol të lartë, por këto rezultate do të implementohen së shpejti në udhëzuesit ndërkombëtare për trajtimin e pacientëve me risk të lartë kardiovaskular, duke orientuar mjekët në përdorimin e kësaj kategorie të re dhe të shtrenjtë barnash".
N Engl J Med. 2017. doi: 10.1056/NEJMoa1615664
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28304224
N Engl J Med. 2017. doi: 10.1056/NEJMe1703138
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/28304233