pri182017
Studimi në BMJ: Risk për insuficiencë kardiake pas pneumonisë së fituar në komunitet
Pacientët me pneumoni të fituar në komunitet paraqesin një risk më të madh për të zhvilluar në të ardhmen një insuficiencë kardiake sipas asaj që del nga një studim koortë i kontrolluar prospetik me 10 vjet follow up, të zhvilluar nga një grup kërkuesish nga dy universitete kanadeze, rezultatet e të cilave u prezantuan në The British Medical Journal (BMJ).
Studimi u zhvillua duke marrë në konsideratë të dhënat e 6 spitaleve dhe 7 departamenteve të emergjencave në Alberta, Kanada mes viteve 2000-2002. U përzgjodhën në mënyrë prospetike 4.988 të rritur me pneumoni të fituar në komunitet dhe asnjë histori insuficience kardiake. Secili prej pjesëmarrësve u krahasua sipas moshës, gjinisë dhe llojit të trajtimit (spitalor apo ambulatorial) me një maksimum prej pesë të rriturish pa pneumoni (të kontrolluar) apo insuficiencë kardiake prevaluese (n=23060).
Outcome fillestare ishin risku për shtrim në spital për insuficiencë kardiake incidente ose një endpoint i kombinuar i insuficiencës kardiake ose vdekshmërisë deri në 2012-n, i vlerësuar duke përdorur modelin multivariant të Cox për risqet proporcionale.
Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 55 vjeç, 53.1% ishin burra dhe 63.4% kishte marrë trajtimin ambulatorial. Në një mesatare prej 9.9 vitesh, 11.9% (n = 592) e pacientëve me pneumoni u përball me një insuficiencë kardiake krahasuar me 7.4% (n = 1.712) të kontrolleve (hazard ratio i rregulluar 1.61, 95% intervali i besimit 1.44-1.81).
Pacientët nën moshën 65 vjeç me pneumoni kanë regjistruar një rritje absolute më të ulët (por risk relativ më të madh) për insuficiencë kardiake në krahasim me kontrollet (4.8% kundrejt 2.2%; hazard ratio i rregulluar 1.98, 95% intervali i besimit 1.5-2.53), ndërsa pacientët mbi 65 vjeç me pneumoni kanë pasur rritjen më të madhe absolute (por risk relativ më të ulët) për insuficiencë kardiake (24.8% v 18.9%; hazard ratio i përshtatur 1.55, 1.36-1.77). Rezultatet ishin koherente në periudhën afatshkurtër (90 ditë) dhe afatmesme (një vit), si për pacientët e trajtuar në spital edhe për ata të trajtuar në ambulator.
"Rezultatet tona, - përfundojnë autorët, - tregojnë se pneumonia e fituar në komunitet rrit ndjeshëm riskun për insuficiencë kardiake në të gjitha grupmoshat dhe ndikon në përkeqësimin e rasteve. Kjo duhet të konsiderohet në momentin e formulimit të planeve për asistencë pas largimit nga spitali dhe strategjitë e parandalimit. Mes këtyre të fundit, - pohojnë kërkuesit, - duhet konsideruar vaksinimi kundër pneumokokut dhe gripit sezonal, veçanërisht te pacientët në risk më të lartë për pneumoni dhe sëmundje kardiovaskulare (të moshuar, duhanpirës etj). Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar gjithashtu vlerësimit të episodeve të mëvonshme të dispneas, që mund të mos jenë të lidhura me një infeksion të traktit respirator, por me shfaqjen e një insuficience kardiake", përfundojnë autorët.