qer282018
Kontraceptivët hormonalë të kombinuar dhe tromboembolizmi venoz. Rreziqet dhe avantazhet
EMA ka arritur në përfundimin se avantazhet e kontraceptivëve hormonalë të kombinuar (COC) vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet dhe se rreziku i tromboembolizmit venoz i lidhur me përdorimin e tyre është i ulët, por AIFA e ka gjetur me vend t'u ofrojë sërish operatorëve shëndetësorë instrumentet e duhura për përshkrimin e këtyre kontraceptivëve në mënyrën e duhur, duke treguar kujdes në lidhje me njohjen dhe menaxhimin e shenjave të një koagulimi të mundshëm të gjakut.
AIFA kujton se në vitin 2014, EMA kishte bërë një vlerësim të avantazheve dhe të rreziqeve të këtyre barnave, duke arritur në përfundimin se dobitë vazhdonin t'i tejkalonin rreziqet dhe se rreziku i tromboembolizmit venoz (TEV) ose koagulimit të gjakut në vena, ishte i ulët. Rreziku është më i madh në vitin e parë të përdorimit të çdo COC-u nëse personi është në mbipeshë, nëse është më shumë se 35 vjeç, nëse një anëtar i familjes së tij ka patur një koagulim të gjakut nën moshën 50-vjeçare ose nëse ka bërë një lindje në javët e fundit. Nëse personi është duhanpirës dhe nëse është më shumë se 35 vjeç, këshillohet lënia e duhanit ose përdorimi i një metode kontraceptive jo hormonale.
Kur përshkruhen barnat COC, shpjegon AIFA, vlerësohen me kujdes faktorët individualë të rreziqeve. Cilat janë simptomat që duhet të na alarmojnë?
- Në rastet e një tromboze venoze të thellë, dhimbja intensive dhe ënjtja në njërën nga këmbët, që mund të jenë të shoqëruara me ligështim, nxehtësi ose ndryshim të ngjyrës së lëkurës.
- Për embolinë pulmonare, shenjat janë një gulçim i papritur, dhimbja e fortë në gjoks dhe kolla e papritur, pa ndonjë shkak të dukshëm.
- Mund të jetë një atak në zemër në qoftë se keni dhimbje gjoksi akute, që nganjëherë manifestohen me rraskapitje, presion ose bezdi që nga pjesa e sipërme e trupit mund të reflektohet në kurriz, nofull, fyt, apo në krah, me një ndjesi fryrjeje të lidhur me dispepsi ose mbytje, djersitje, të përziera, vjellje ose marramendje.
- Në fund, nëse ka mpirje ose dobësi në fytyrë, krah ose në këmbë, veçanërisht në njërën anë të trupit, vështirësi në të folur dhe në të kuptuar, konfuzion të papritur mendor, humbje të papritur të shikimit, dhimbje të forta koke, mund të bëhet fjalë për një iktus.