tet292018
Insuficienca kardiake akute. Paraterapia me diuretikë nuk sjell asnjë ndryshim
Një studim i madh kohorte, rezultatet e të cilit u botuan në "JACC: Heart Failure", nuk ka gjetur prova për të mbështetur besimin se një kohë më e shkurtër e kaluar ndërmjet hyrjes në spital dhe terapisë diuretike në insuficiencën kardiake akute (AHF) mund të ketë rezultate më të mira klinike.
"Fillimi i diuretikëve intravenozë brenda 60 minutash, ose pas 60 minutash që nga hyrja në dhomën e urgjencës, nuk ka treguar asnjë ndryshim sa u përket endpointeve primare të vdekjes gjatë shtrimit në spital, ose një muaj, ose një vit pas daljes", shpjegon Jin Joo Park (Universiteti Kombëtar i Seulit), autori kryesor i studimit. Nga 2761 pacientë që morën pjesë në regjistrin shumëqendror "Failure Korea Acute Heart Failure (KorAHF)" dhe që janë përfshirë në analizë, 24% e kishin filluar terapinë diuretike brenda 60 minutash nga mbërritja dhe 76%, pas më shumë se 60 minutash; me një kohë mesatare prej 128 minutash. Gratë përbënin rreth gjysmën e grupit të përgjithshëm dhe 55% ishin diagnostikuar për herë të parë me insuficiencë kardiake. Vdekshmëria e përgjithshme në spital ishte 5.1%, ndërsa mes të mbijetuarve deri në daljen nga spitali, vdekshmëria ishte 3.1% në 1 muaj dhe 18.6% në 1 vit.
Nuk kishte dallime të konsiderueshme në tri endpointet e vdekshmërisë tek ata që i filluan diuretikët brenda 60 minutave ose më vonë. Mbetet megjithatë e paqartë nëse insuficienca kardiake akute mund të ketë efekte akute të dëmshme që duhen përballuar shpejt me diuretikë dhe vazodilatatorë, pasi studime të tjera kanë zbuluar një avantazh të mbijetesës në spital me një fillim të hershëm të barnave të tilla.
"Dështimi është një proces heterogjen dhe jo plotësisht i njohur, i shtyrë në shkallë të ndryshme nga mekanizma patologjikë të panumërt themelorë që ndryshojnë shumë mes pacientëve. Përveç kësaj, insuficienca akute mbetet një diagnozë potencialisht e vështirë klinike te shumë pacientë, pa një test diagnostikues që mund të konsiderohet një "standard i artë"", shkruajnë Michael Felker (Universiteti Duke, Durham, SHBA) dhe James Januzzi Jr (Spitali i Përgjithshëm i Bostonit), në një editorial shoqërues. "Ndërsa sigurisht, diagnoza dhe fillimi i terapisë në kohë janë pjesë e kujdesit klinik efikas, qëllimi kryesor duhet të jetë "kurimi i mirë" dhe jo "kurimi i nxituar", kanë përfunduar editorialistët.
JACC: Heart Failure 2018. Doi: 10.1016/j.jchf.2017.12.017
http://heartfailure.onlinejacc.org/content/6/4/286
JACC: Heart Failure 2018. Doi: 10.1016/j.jchf.2018.01.011
http://heartfailure.onlinejacc.org/content/6/4/295