shk252019
Faktori i ri i hap rrugën terapisë së personalizuar për tromboembolizmin venoz
Është identifikuar një faktor i ri i parashikimit të riskut për tromboembolizmin venoz. Sipas një studimi të publikuar në "Journal of American Heart Association", i është hapur rruga terapisë së personalizuar, sepse përqendrime të larta plazmatike të apolipoproteinës CIII (apo CIII) mund të parashikojnë një rritje të riskut për tromboembolizëm venoz (TEV) te pacientët me sëmundje kardiovaskulare.
Deri më tani, ishte vënë re që një prani e niveleve të larta të apolipoproteinës CIII mund të lidhej me arterosklerozën dhe me trombozën arteriale, por nuk ishte treguar ende që molekula mund të rriste edhe riskun e trombeve në vena. "Kardiopatikët shfaqin një frekuencë më të madhe të trombeve qoftë në vena (me emboli të rrezikshme pulmonare sekondare), qoftë në arterie (tromboza mbi pllakën arteriosklerotike), megjithatë deri më tani nuk ishin identifikuar asnjëherë me saktësi shkaqet e kësaj prirjeje", shpjegon Oliviero Oliveri (Universiteti i Veronës), autor kryesor i studimit, në një njoftim për shtyp.
Për të qartësuar më mirë lidhjen, kërkuesit kanë vlerësuar ngjarjet e TEV-it jo fatal në një popullsi të përbërë nga 1.020 pacientë, me moshë mesatare 63,3 vjeç, 79,1% me sëmundje koronare dhe 20,9%, pa sëmundje koronare. Për të gjithë pacientët ishin të disponueshme të dhëna të plota mbi lipidet dhe apolipoproteinat plazmatike. Rezultatet kanë treguar se 45 pacientë (4,4%) përjetuan ngjarje të TEV-it jo fatal gjatë një periudhe ndjekjeje prej 144 muajsh dhe që përqendrimi plazmatik i apolipoproteinës CIII kur u regjistruan ishte më i lartë te pacientët që kanë zhvilluar më pas TEV (12,2 mg/dL në krahasim me 10,6 mg/dL për pacientët pa TEV). Pacientët me nivele të CIII më të larta se vlera mesatare (10,6 mg/dL) kanë treguar një rritje të riskut për TEV (norma e incidencës: 6,0 në lidhje me 18,8 ngjarje TEV për 1.000 vite/njerëz). Kjo lidhje është konfirmuar pas rregullimit sipas faktorëve konfondues.
"Apolipoproteina CIII mund të japë informacione mbi prirjen e prokoagulantëve individualë dhe riskun që lidhet me tromboembolizmin venoz dhe mund të jetë ndoshta një tregues i dobishëm për zgjedhjet terapeutike të personalizuara në praktikën klinike. Veç të tjerash, barnat që reduktojnë apolipoproteinën CIII, duke përfshirë oligonukleotidet e reja antisens anti-apo CIII, mund të tregojnë efekte të papritura antitrombotike shtesë", përfundojnë autorët.
J Am Heart Assoc. 2019. doi: 10.1161/JAHA.118.010973
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30646800