kor172019
Pas ndërhyrjes koronare, terapia e dyfishtë antitrombocite mund të shkurtohet
Dy studime të reja, të publikuara në "JAMA", sugjerojnë që terapia e dyfishtë antitrombocite (DAPT), e administruar pas një ndërhyrjeje koronare perkutane (PCI), mund të jetë efektive madje edhe me një kohëzgjatje të shkurtër. DAPT, i përbërë nga aspirina dhe një inhibitor P2Y12, zakonisht jepet për 12 muajt që ndjekin një PCI për implantimin e stentit koronar që lëshon bar, duke pasur parasysh rritjen e mundshme të rrezikut trombotik.
"Përcaktimi i kohëzgjatjes së DAPT-it kërkon një ekuilibër mes 2 objektivave", shpjegon në një editorial Khaled Ziada dhe David Moliterno (Universiteti i Kentakit, SHBA). Rreziku i ngjarjeve ishemike duhet të reduktohet, por në të njëjtën kohë, duhen shmangur ato hemorragjike. Një nga studimet në fjalë përfshinte më shumë se 3,000 pacientë të rekrutuar në 90 spitale japoneze në periudhën 2015-2017. Gjysma e pjesëmarrësve u trajtuan me DAPT në muajin e parë pas PCI-së dhe pastaj vetëm me klopidogrel, ndërkohë që gjysma tjetër ka ndjekur një DAPT për 12 muaj (klopidogrel dhe aspirinë). Pas një viti, trajtimi i shkurtër me DAPT, ka rezultuar më superior se ai më i gjatë në përmirësimin e rezultatit kryesor të përbërë, që përfshinte vdekjen kardiovaskulare, infarktin e miokardit, iktusin, trombozën nga stenti ose gjakderdhjen (2.4% kundrejt 3.7 % të pacientëve).
"Këto rezultate sugjerojnë se një kohëzgjatje më e shkurtër e DAPT-it mund të sjellë përfitime, megjithëse duke marrë parasysh kufizimet e studimit, janë të nevojshme hulumtime të mëtejshme në popullata të tjera", thotë autori kryesor Hirotoshi Watanabe (Universiteti i Kiotos, Japoni). Gjithashtu në studimin e dytë, të kryer në Kore, rreth 3,000 pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Grupi i parë mori DAPT për 3 muaj dhe pastaj një monoterapi me një inhibitor P2Y12 (shpesh, klopidogrel), ndërsa i dyti mori DAPT për 12 muaj. Trajtimi i shkurtër me DAPT ka rezultuar jo inferior ndaj atij të gjatë, për ngjarje të mëdha kardiake dhe kardiovaskulare (2.9% kundrejt 2.5%). Gjithashtu, në këtë rast, autori Joo-Yong Hahn (Universitetit Sungkyunkwan, në Kore), argumenton nevojën për hulumtime të mëtejshme.
"Rezultatet e dy studimeve mund të justifikojnë një ndryshim në udhëzimet aktuale", komenton botuesi Howard Hermann (Universiteti i Pensilvanisë, SHBA).
JAMA. 2019. doi: 10.1001/jama.2019.7025
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31237621
JAMA. 2019. doi: 10.1001/jama.2019.8145
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31237644
JAMA. 2019. doi: 10.1001/jama.2019.8146
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31237645