Kardiologji

maj152020

Covid-19. Terapia antikoagulante përmirëson mbijetesën e pacientit

Antikoagulantët mund të përmirësojnë shanset e mbijetesës së pacientëve të shtruar në spital me COVID-19. Ky është rezultati i një studimi të botuar në "Journal of the American College of Cardiology", i cili sipas autorëve përshkruan një shteg të rëndësishëm terapeutik për këta pacientë.

Studimi, i cili pason hulumtimet e fundit ku sugjerohen ngjarje tromboembolike te pacientët në spital me COVID-19, ka përfshirë 2.733 pacientë të shtruar në strukturat e Sistemit Shëndetësor Mount Sinai në Nju Jork, në periudhën 14 Mars-11 Prill të vitit 2020, 28% e të cilëve (786 vetë) morën trajtim sistemik me antikoagulantë. Studiuesit analizuan nivelet e mbijetesës, duke marrë parasysh disa faktorë rreziku që përfshinin moshën, kushtet para-ekzistuese ose mundësinë që subjektet tashmë të ishin duke marrë antikoagulantë. Kështu, trajtimi është lidhur me përmirësimin e mbijetesës në spital për pacientët e pranuar ose jo në ICU.
Mes jo të mbijetuarve, pacientët që morën trajtim antikoagulant vdiqën pasi kaluan një mesatare prej 21 ditësh në spital, ndërsa pacientët e patrajtuar, pas një mesatareje prej 14 ditësh. Efekti i barnave ishte më i theksuar te pacientët me ventilim: 62.7% e të patrajtuarve dhe 29.1% e të trajtuarve vdiqën. Nga pacientët e intubuar që nuk mbijetuan, ata që morën antikoagulantët vdiqën pas 21 ditësh, krahasuar me 9 ditë, te pacientët pa terapi. Analizat e gjakut të pacientëve kur mbërritën në spital treguan se ata që kishin marrë antikoagulantë, i kishin më të larta nivelet e shënuesve inflamatorë, gjë që sugjeron se subjektet me sëmundje më serioze mund të përfitonin nga barnat në periudhën e parë. Për më tepër, nuk u vërejt ndonjë ndryshim i rëndësishëm në ngjarjet e gjakderdhjes midis pacientëve që nuk u trajtuan me antikoagulantë dhe atyre që u trajtuan.

Analizat treguan se 1.9% dhe 3% përkatësisht, kanë patur ngjarje hemorragjike (P = 0.2). Siç shpjegoi autori Girish Nadkarni, rezultatet i hapin derën një studimi më të madh që do të përfshijë 5,000 pacientë dhe do të vlerësojë efektivitetin e tre terapive antitrombotike (orale, heparinë subkutane apo intravenoze). "Jemi të ngazëllyer për këto rezultate paraprake të cilat mund të kenë një ndikim pozitiv në pacientët COVID-19 dhe t'u japin atyre një mundësi më të madhe për mbijetesë, ndonëse nevojiten studime të mëtejshme", përfundoi ai.


JACC 2020. Doi: 10.1016/j.jacc.2020.05.001
https://doi.org/10.1016/j.jacc.2020.05.001


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>