tet82020
Covid-19. Studimi italian: Si të përgjysmohen viktimat e terapisë intensive
Nëse Covid-19 i dëmton dyfish mushkëritë, duke prekur alveolat dhe kapilarët, rreziku i vdekshmërisë në kujdesin intensiv është më i lartë. Por, dy teste të thjeshta, së bashku me mbështetjen e kujdesit intensiv maksimal, mund të çojnë në një rënie të vdekshmërisë deri në 50%.
Një studim italian i botuar në "Lancet Respiratory Medicine", ditët e fundit, tregon problemin dhe në të njëjtën kohë, zgjidhjen. Hulumtimin që përshkruan mekanizmin përgjegjës për vdekshmërinë e lartë në kujdesin intensiv të pacientëve me Covid, e ka udhëhequr Poliklinika Sant'Orsola në Bolonjë. Në studim ka marrë pjesë edhe Franco Locatelli, spitali "Bambino Gesù", president i Këshillit të Lartë të Shëndetësisë dhe anëtar i Komitetit Teknik Shkencor për urgjencën e coronavirusit. Në detaje, studimi tregon se virusi mund të dëmtojë të dy përbërësit e mushkërive: alveolat (njësitë e mushkërive që marrin oksigjen dhe lëshojnë dioksid karboni) dhe kapilarët (enët e gjakut ku bëhet shkëmbimi ndërmjet dioksidit të karbonit dhe oksigjenit). Kur virusi dëmton si alveolat, ashtu edhe kapilarët pulmonarë, gati 60% e pacientëve vdesin. Kur virusi dëmton, ose alveolat, ose kapilarët, pak më shumë se 20% e pacientëve vdesin.
"Fenotipi" i pacientëve te të cilët virusi dëmton si alveolat, ashtu edhe kapilarët (pacientët me "dëmtim të dyfishtë") identifikohet lehtësisht përmes matjes së një parametri të funksionit të mushkërive dhe një parametri hematokimik.
Rezultatet e studimit, sipas studiuesve, kanë implikime të rëndësishme si për trajtimet që janë aktualisht në dispozicion, ashtu edhe për studimet e ardhshme mbi ndërhyrjet e reja terapeutike për pacientët me Covid-19. Në fakt, sot njohja e shpejtë e fenotipit me "dëm të dyfishtë" do të lejojë një saktësi shumë më të lartë diagnostikuese dhe përdorim edhe më efektiv të terapive, duke i rezervuar masat terapeutike më "agresive" siç janë ventilimi mekanik, membrana jashtëtrupore e oksigjenimit (ECMO) dhe ambientet terapeutike me intensitet më të madh të kujdesit siç është kujdesi intensiv) për këta pacientë dhe duke trajtuar në fakt me ventilim jo invaziv përmes helmetës dhe shtrim në kujdesin nënintensiv pacientët te të cilët do testohen trajtimet eksperimentale me antikoagulantë për parandalimin e dëmtimit të kapilarëve pulmonarë.
Studimi është kryer mbi 301 pacientë të shtruar në "Sant'Orsola" dhe në klinika të tjera në Itali. Përveç përfshirjes së Locatelli-t, në studim ka patur një bashkëpunim të gjerë mes disiplinave të ndryshme (anestezi e reanimacion, pneumologji, radiologji, onko-hematologji, statistikë mjekësore) dhe e universiteteve të ndryshme italiane dhe jo vetëm.