Focus

gus162021

Antidepresivët, efekt mburojë kundër dëmtimeve të rënda nga Covid-19

Barnat kundër depresionit kanë efekt mburojë kundër dëmtimeve të rënda të infeksionit nga Sars-CoV-2. Kështu thuhet në një studim të kryer nga Spitali Universitar (AOU) Careggi i Firences, botuar në "Panminerva Medica" dhe raportuar në numrin e fundit të "Professione Sanità", një revistë e Fondacionit BRF (Fondacioni i Kërkimeve mbi Trurin) Onlus - Instituti për Kërkime Shkencore në Psikiatri dhe Neuroshkencë.

Bazuar në rezultatet e marra, frenuesit selektivë të rikapjes së serotoninës (SSRI) dhe frenuesit e rikapjes së serotoninës dhe noradrenalinës (SNRI) duket se janë në gjendje të ulin nivelet sierike të interleukinës-6 (Il-6). "Il-6, aktivizuar në mënyrë jonormale nga Covid-19, është molekula kryesore e përfshirë në stuhinë inflamatore, përgjegjëse për shumicën e dëmeve të shkaktuara nga coronavirusi në organizëm dhe, veçanërisht, në sistemin respirator", kujton Leonardo Fei, psikiatër, drejtor i Careggi Psychoncology dhe autor kryesor i punimit. "Ne kemi vërejtur se disa pacientë të prekur nga virusi, edhe nëse janë dobësuar nga patologji serioze të mëparshme dhe kështu, janë veçanërisht në rrezik, shfaqën simptoma dhe dëmtime të zbutura në krahasim me të tjerët që ishin në të njëjtat kushte". Më tej, vazhdon Fei, "identifikuam shkakun e ashpërsisë më të ulët në trajtim, edhe para shtrimit në spital për Covid-19, në disa antidepresivë të karakterizuar nga efektet në ruajtjen e niveleve të serotoninës dhe noradrenalinës në tru, molekula themelore në terapinë kundër depresionit".

Më hollësisht, Fei dhe bashkëpunëtorët kryen një studim vëzhgues për tre muaj, gjatë valës së parë të pandemisë Sars-Cov-2 në Itali. Pacientët e shtruar në repartet e Mjekësisë së Brendshme dhe në departamentin e Sëmundjeve Infektive dhe Tropikale të Aou Careggi në Firence për pneumoni nga Covid-19 u ndanë në dy nëngrupe (të trajtuar/të patrajtuar me antidepresivë). Pacientët e shtruar më parë në terapinë intensive, u përjashtuan nga studimi. Çdo pacient u vlerësua në aspektin e karakteristikave demografike, klinike dhe terapeutike. Më tej u shënua doza e parë Il-6 e zbuluar gjatë shtrimit në spital. Nga analiza e të dhënave doli se 8.5% e pacientëve (n= 34) të të gjithë mostrës (n=402) ishin trajtuar me një antidepresiv të dy kategorive të marra në konsideratë (SSRI/SNRI) para shtrimit në spital deri në daljen nga spitali.
Mes pacientëve të shtruar në spital, Fei dhe kolegët zbuluan se përqendrimet e gjakut të Il-6 ishin dukshëm më të ulëta në nëngrupin e subjekteve të trajtuara me barna kundër depresionit sesa në nëngrupin e patrajtuar (12.1 kundrejt 25.4; p <0.001). Këto rezultate u theksuan pavarësisht moshës mesatare më të lartë dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese më të rënda të nëngrupit të trajtuar. Për më tepër, incidenca e sindromës së rëndë nga distresi respirator akut (20.6% vs 43.2%, p <0.02) dhe përdorimi i intubacionit endotrakeal ishte gjithashtu dukshëm më i ulët në nëngrupin e pacientëve që merrnin trajtim kundër depresionit (0.0% vs 11.7% p <0.04). Studiuesit specifikojnë se shkalla e vdekshmërisë në nëngrupin e trajtuar nuk ishte dukshëm më e ulët se ajo e nëngrupit të patrajtuar (23.5% kundrejt 26.4% p = 0.13). Gjatë pneumonisë Covid-19, prodhimi i Il-6 duket se modifikohet në prani të terapisë kundër depresionit. Sidoqoftë, nevojiten prova të mëtejshme dhe hetime më të gjera.

"Studimi mbi barnat antidepresive", nënvizon Fei, "hap një horizont mbi të kuptuarit e mekanizmave biokimikë që qëndrojnë në themel të reaksioneve inflamatore nga coronavirusi dhe, në perspektivë, në zhvillimin e terapive të reja që, duhet sqaruar, nuk janë absolutisht të lidhura me përdorimin e papërshtatshëm të antidepresivëve, të cilët duhet të përdoren nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore dhe duke respektuar me rigorozitet indikacionet e përshkruara aktualisht nga udhëzimet ndërkombëtare dhe nga organet kompetente shëndetësore".


A.Z.

Professione Sanità, 23 luglio 2021.
https://www.fondazionebrf.org/covid-farmaci-antidepressivi-scudo-infezioni-professione-sanita/

Panminerva Med. 2021 Jul 9. Doi: 10.23736/S0031-0808.21.04436-0. Epub ahead of print.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/34240839/


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>