nën242020
Covid-19. Infarkti është i zakonshëm te pacientët me sëmundje kritike. Ja, të dhënat
Sipas një studimi të ri, të publikuar në "British Medical Journal", arresti kardiak është i zakonshëm te pacientët me Covid-19 në gjendje kritike dhe shoqërohet gjithashtu me mbijetesë të dobët, veçanërisht midis atyre mbi 80 vjeç. "Këto zbulime mund të ndihmojnë diskutimet mbi terapitë e fundit të jetës te pacientët e sëmurë rëndë me Covid-19 dhe familjet e tyre", thonë autori kryesor, Salim Hayek, nga Universiteti i Miçiganit dhe kolegët e tij.
Konkretisht, studiuesit analizuan të dhënat e 5,019 pacientëve të rritur, me Covid-19 në gjendje kritike, të shtruar në njësitë e terapisë intensive të 68 spitaleve amerikane. Rezultatet kanë treguar se 14% e atyre pacientëve përjetuan arrest kardiak brenda 14 ditëve nga pranimi në ICU. Nga këta pacientë, pak më shumë se gjysma (57%) janë trajtuar me reanimacion kardiopulmonar. Krahasuar me pacientët që nuk vuanin nga arresti kardiak në spital, ata që e përjetuan atë ishin më të moshuar (63 vjeç, përkundër 60 vjeç), kishin më shumë sëmundje bashkëshoqëruese dhe më shumë mundësi për t'u shtruar në spitale me më pak shtretër në terapi intensive.
Sipas autorëve të studimit, ky është një aspekt i rëndësishëm sepse sugjeron se si burimet spitalore, stafi, përvoja dhe faktorë të tjerë të ngjashëm mund të kenë ndikim të rëndësishëm. Për më tepër, mes pacientëve që morën reanimacion kardiopulmonar, të cilët ishin më të rinj se ata që nuk e morën (61 vjeç, përkundër 67 vjeç), vetëm 12% mbijetuan pas daljes nga spitali dhe vetëm 7% janë larguar nga spitali me status neurologjik normal ose mesatarisht të dëmtuar. Të mbijetuarit, shumica e të cilëve kishin nevojë për një cikël të shkurtër reanimimi, ishin të një moshe tjetër nga ata që nuk ia kanë dalë: 21% ishin nën 45 vjeç, krahasuar me 3% me moshë 80 vjeç e sipër.
Hayek dhe kolegët e tij, të cilët i pranojnë kufizimet e studimit, të tilla si fakti që ata nuk mund të vlerësonin cilësinë dhe kohën e reanimacionit dhe se të dhënat ishin të kufizuara në 14 ditët e para, përfundojnë: "Të dhënat tona mund të ndihmojnë në informimin e pacientëve, pjesëtarëve të familjes dhe mjekëve mbi procesin kompleks të vendimmarrjes në lidhje me pacientët me Covid-19 që janë në rrezik për arrest kardiak ose që e kanë kaluar atë".
BMJ 2020. Doi: 10.1136/bmj.m3513
https://doi.org/10.1136/bmj.m3513