shk222021
Covid-19 dhe dëmtimi i zemrës. Shenja të dukshme edhe një muaj pas daljes nga spitali
Rreth 50% e pacientëve që u shtruan në spital me Covid-19 të rëndë dhe që shfaqën nivele të larta të troponinës, kanë dëmtim të zemrës (miokardit, dëmtim ose infarkt dhe ishemi) të paktën një muaj pas daljes nga spitali, sipas një studimi të botuar në "European Heart Journal". "Nivelet e rritura të troponinës janë të lidhura me rezultate më të këqija te pacientët me Covid-19. Pacientët me forma të rënda të sëmundjes shpesh kanë probleme me zemrën për shkak të kushteve para-ekzistuese, përfshirë diabetin, presionin e lartë të gjakut dhe mbipeshën. Sidoqoftë, gjatë një infeksioni të rëndë Covid-19, zemra mund të preket drejtpërdrejt", shpjegon Marianna Fontana, nga Kolegji Universitar i Londrës, e cila drejtoi studimin.
Studiuesit vlerësuan 148 pacientë me Covid-19 që kanë dalë deri në qershor të vitit 2020, nga gjashtë spitale të Londrës. Pacientëve që kishin nivele jonormale të troponinës iu ofrua një MRI kardiake pas daljes dhe rezultatet e tyre u krahasuan me ato të një grupi pacientësh që nuk kishin pasur Covid-19 dhe me 40 vullnetarë të shëndetshëm. Kështu, te 89% e pacientëve që kishin Covid-19, funksioni i barkushes së majtë të zemrës ishte normal, por te 80 pacientë (54%), kishte plagë ose lezione në muskulin kardiak. Shenjat dhe dëmtimet e indeve kishin lindur nga inflamacioni te 39 pacientë (26%), nga sëmundja ishemike e zemrës te 32 pacientë (22%), ose nga të dyja te nëntë pacientë (6%) dhe 12 pacientë (8%) duket se kishin një pezmatim kardiak në zhvillim.
"Këto rezultate na japin dy mundësi. Së pari, ne do të jemi në gjendje të gjejmë mënyra për të parandaluar dëmtimin, pasi kemi parë që koagulimi e gjakut mund të luajë një rol në formimin e tij. Së dyti, do të jemi në gjendje të identifikojmë individë që do të përfitonin nga trajtime specifike mbështetëse farmakologjike për të mbrojtur funksionin kardiak me kalimin e kohës", thotë Fontana. Ekspertët theksojnë se gjetjet e studimit janë të kufizuara nga natyra e përzgjedhjes së pacientit, pasi ato përfshinin vetëm ata që mbijetuan nga një infeksion coronavirusi që kërkonte shtrimin në spital dhe argumentojnë se do të nevojiten hetime të mëtejshme me skanime MRI.
European Heart Journal 2021. Doi: 10.1093/eurheartj/ehab075
https://doi.org/10.1093/eurheartj/ehab075