pri122021
Iktusi ishemik i syrit, tregues i rrezikut të shtuar për ngjarje të ardhshme vaskulare
Titullohet: "Menaxhimi i Okluzionit të Arteries Qendrore të Retinës" dhe është publikuar në "Stroke", nga Shoqata Amerikane e Zemrës, por ka tërhequr vëmendjen e shumë shoqatave të tjera shëndetësore.
Okluzioni i arteries qendrore të retinës (CRAO) është një formë e rrallë e iktusit ishemik akut që përgjithësisht provokon një humbje të menjëhershme dhe pa dhimbje të shikimit në syrin e prekur. Më pak se 20% të njerëzve e rifitojnë shikimin në këtë sy. "CRAO është një ngjarje kardiovaskulare e maskuar si çrregullim i shikimit. Është më e rrallë se iktusi cerebral, por mbetet një shenjë kritike që kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore dhe ndjekje për të parandaluar ngjarjet akute kardiovaskulare në të ardhmen", tha Brian Mac Grory, profesor i asociuar i neurologjisë në Qendrën Gjithëpërfshirëse të Iktuseve, Universiteti Duke Durham, Karolina e Veriut dhe president i grupit të specialistëve që hartuan dokumentin në të cilin ekspertë neurologë, okulistë, kardiologë, neuro-radiologë, neurokirurgë dhe kirurgë vitreoretinalë, përmblodhën gjendjen në CRAO, pasi bënë një përmbledhje të plotë të literaturës botërore.
"CRAO është një urgjencë që kërkon zbulim të hershëm, pasi ekziston një dritare e ngushtë kohore për terapi efektive. Prandaj, nëse ngjarja ndodh në klinikën ambulatore, pacienti duhet të dërgohet menjëherë në urgjencë, për diagnostikim dhe trajtim", shkruajnë autorët, duke nënvizuar se shtimi i gjasave për iktuse apo infarkte në të ardhmen, e bën të domosdoshëm kontrollimin me kujdes të fakorëve të rrezikut vaskular.
"Parandalimi sekondar, përfshirë monitorimin për komplikacionet, duhet të jetë një përpjekje bashkëpunuese midis neurologëve, okulistëve, kardiologëve dhe mjekëve të kujdesit bazë, për të modifikuar stilin e jetës, si dhe për të përshkruar barnat e duhura", përfundon Mac Grory.
Stroke 2021. Doi: 10.1161/STR.0000000000000366
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/STR.0000000000000366