Kardiologji

maj312021

Denervimi renal për pacientët që nuk mund ta kontrollojnë me barna hipertensionin

Impulset e shkurtra të ultratingujve të shpërndarë në nervat afër veshkave prodhuan një rënie klinikisht të konsiderueshme të presionit të gjakut te njerëzit, hipertensioni i të cilëve nuk i përgjigjej një koktejli të trefishtë të barnave, sipas një studimi të botuar në "Lancet".
"Këto rezultate sugjerojnë se denervimi renal mund të shndërrohet në një shtesë të rëndësishme të terapisë farmakologjike, edhe për ata që kanë vështirësi në menaxhimin e disa barnave për të kontrolluar hipertensionin e tyre. Trajtimi është ende eksperimental, nuk është miratuar për përdorim dhe është i disponueshëm vetëm përmes eksperimenteve klinike", shpjegon Ajay Kirtane, nga Universiteti i Kolumbias, i cili udhëhoqi grupin e studimit.

Denervimi renal, një procedurë minimalisht invazive, përdor energjinë e ultrtingujve për të ndërprerë sinjalet që vijnë nga nervat tepër aktivë në arteriet renale dhe shpërndahet përmes një kateteri që kalohet nëpërmjet një arterieje në këmbë. Këta nerva nuk janë një objektiv i ri në trajtimin e hipertensionit; disa barna ekzistuese, në fakt, veprojnë në aktivitetin e nervit renal për të ulur presionin e gjakut. Në këtë studim, studiuesit testuan efikasitetin dhe sigurinë e një pajisjeje që sjell dy ose tre impulse të shkurtra ultratingujsh në fijet nervore pranë arteries renale te të rriturit me hipertension të moderuar deri të rëndë, pavarësisht marrjes së tre ose më shumë barnave antihipertensive.

Të gjithë pacientët kaluan në të njëjtin regjim dhe, për të ndihmuar aderimin, morën një pilulë të vetme që kombinonte tre barna antihipertensive të përdorura zakonisht. Gjatë studimit, 80% e pacientëve vazhduan të merrnin barna sipas udhëzimeve. Nga 136 pacientë, presioni i gjakut i të cilëve mbeti i lartë pas katër javësh në regjimin e ri, 69 u trajtuan me denervim renal dhe 67 bënë një procedurë të rreme. Kështu, presioni i gjakut gjatë ditës pas dy muajsh ra me tetë pikë në njerëzit e trajtuar me denervim, në krahasim me tre pikë në pacientët e trajtuar me një procedurë të rreme. Presioni i gjakut gjatë natës u ul me një mesatare prej 8.3 pikësh në grupin e trajtimit kundrejt 1.8 pikësh në grupin e placebos.
"Do të jenë të nevojshme studime të mëtejshme për të përcaktuar nëse kjo terapi mund të jetë efektive për grupe të tjera, përfshirë pacientët e moshuar me hipertension dhe ata me sëmundje renale kronike", përfundon Kirtane.

 

Lancet 2021. Doi: 10.1016/S0140-6736(21)00788-1
https://doi.org/10.1016/S0140-6736(21)00788-1


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>