dhj52014
Depresioni pengon diabetikët të kenë një jetë të shëndetshme
Në personat diabetikë depresioni përkeqëson kontrollin e diabetit duke ulur trajtimin e tij, i cili është shumë i rëndësishëm për të shmangur komplikacionet. Këtë na e konfirmon Sharon Brown, profesoreshë e infermieristikës në School of Nursing i Universitetit të Teksasit, në Austin dhe bashkëautore e një studimi të publikuar në The Diabetes Educator. "Depresioni, i cili prek 121 milionë persona në të gjithë botën, është i përhapur edhe në mesin e diabetikëve" pohon studiuesja, duke kujtuar se diabeti tip 2 është forma më e shpeshtë e sëmundjes, komplikacionet e të cilit sjellin miliona të vdekur. Prevalenca e depresionit në diabet varion nga 11 deri në 71,8% në varësi kjo të studimeve që janë kryer,dhe në të rriturit diabetikë risku për të zhvilluar simptoma depresive është dy herë më i lartë krahasuar me jo diabetikët. "Dhe humori i reduktuar, ul probabilitetin për t'iu bashkuar ndryshimit të stilit të jetës, pra dietës apo aktivitetit fizik. Rrjedhimisht humbet kontrolli i mirë i glicemisë dhe shtohen komplikacione si retinopati, nefropati dhe sëmundje kardiovaskulare", nënvizon autorja e artikullit. Pak studime janë fokusuar në efektet që depresioni ka në stilin e jetës, dhe për të çuar më tej argumentin studiuesit kanë kryer një revision sistematik mbi 13 arkive biomjekësorë duke përdorur fjalë kyçe si depresion dhe diabet. Në përfundim të kërkimeve u seleksionuan 27 studime që përfshinin 7266 pjesëmarrës, ndër të cilët 54% ishin femra, me moshë mesatare 62 vjeç. "Nga studimet e zgjedhur, 21 vlerësonin lidhjen midis depresionit dhe ndjekjes së djetës dhe aktivitetit fizik, duke zbuluar një korelacion negativë", thotë Brown, duke nënvizuar se nëse depresioni është drejtpërdrejtë i lidhur me ndryshimet në stilin e jetës të cilat duhet të ndjekë një pacient, trajtimi i simptomave depresive duhet të jetë një pikë kyçe e udhëzuesve për trajtimin e diabetit. "Në këtë mënyrë, njerëzit me diabet të tipit 2 që vuajnë nga depresioni i diagnostikuar apo subklinikë mund të rrisin respektimin e dietës dhe aktivitetit fizik duke përmirësuar shëndetit të tyre," përfundon autorja.