Diabetologji

pri182018

Diabeti para shtatzënisë shton komplikacionet e lidhura me nënën dhe fëmijën

Një studim i publikuar në "Diabetologia", revista e Shoqatës Europiane për Studimin e Diabetit (EASD), ka vënë në dukje se, si diabeti i tipit 1 (T1D), ashtu edhe ai i tipit 2 (T2D) lidhen me një shtim të komplikacioneve në shtatzëni, me lindje të fëmijës së vdekur, operacione cezariane emergjente...

Kërkimi është koordinuar nga Robert Lindsay, Instituti i Shkencave Mjekësore dhe Kardiovaskulare, Universiteti i Glasgout, së bashku me kolegët e spitalit pediatrik të të njëjtit qytet dhe të instituteve dhe spitaleve të tjera skoceze. Të dhënat për studimin, të lidhura me fëmijët e lindur në Skoci në periudhën prill 1998-mars 2013, vijnë nga Scottish Morbidity Record 02 (SMR02), një arkiv që përfshin të gjitha gratë me mëmësi skoceze dhe që përmban të dhëna demografike materne dhe infantile, informacione mbi menaxhimin klinik dhe komplikacionet obstetrike, si dhe një vlerësim të shkallës së privimit social. Informacionet e lidhura me diabetin vijnë nga SCIdiabetes, një arkiv që përmban të dhënat e lidhura me 99,5% të popullsisë skoceze të diagnostikuar me këtë sëmundje.

Nga 813.921 lindje të ndodhura gjatë periudhës së studimit, 4.681 ishin lindje të nënave me diabet para shtatzënisë (T1D ose T2D, që ekzistonin para shtatzënisë). Gjatë 15 viteve të periudhës së studimit janë verifikuar 104 vdekje perinatale te fëmijët e nënave me diabet, mes të cilave 65 i përkisnin grupit T1D dhe 39, grupit T2D, me norma vdekshmërie respektivisht 4,2 dhe 3,1 herë më të mëdha, krahasuar me popullsinë skoceze në përgjithësi. Të dhënat analoge për lindjen e fëmijëve të vdekur tregojnë se janë 4 (T1D) dhe 5 herë (T2D) më të larta sesa te nënat që nuk kishin diabet.

"Këto rezultate tregojnë se ekziston një nevojë e rëndësishme për të përmirësuar rezultatet perinatale te gratë me diabet të trajtuar gjatë shtatzënisë, duke përdorur strategji të reja dhe teknologji novatore", përfundojnë autorët, duke hamendësuar se frekuenca e shtuar e komplikacioneve mund të varet nga një përhapje më e madhe e obezitetit, ashtu si edhe nga rritja e moshës së nënave dhe nga popullsitë në rrezik.


Diabetologia 2018. Doi: 10.1007/s00125-017-4529-3
https://link.springer.com/article/10.1007%2Fs00125-017-4529-3


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>