maj302018
Këmba diabetike dhe amputacioni. Strategjia terapeutike lokale tregon rezultatet e para
Ulçera e këmbës diabetike është një nga komplikimet kryesore të diabetit, që prek 19-34% të pacientëve. Jetëgjatësia e pacientëve që i nënshtrohen amputacionit nuk i kapërcen 5 vjet, në rreth 70% të rasteve dhe, vetëm në popullsinë e diabetikëve italianë, regjistrohen 8000 amputacione në vit. Këto janë të dhënat e studimit Explorer, që ka treguar efikasitetin e një mjekimi ose "strategjie terapeutike lokale" në trajtimin e ulçerës së këmbës diabetike, organizuar nga Urgo Medical Italia.
Studimi double blind me përzgjedhje rastësore, krahason efikasitetin dhe tolerancën e mjekimit UrgoStart (matrica Tlc-Nosf) me atë të një mjekimi neutral mbi ulçerat neuroishemike të këmbës diabetike, pra, me lezionet që paraqesin prognozën më të pafat, në të njëjtën kohë neuropatike dhe vaskulare (lezione të nervave periferike dhe të arterieve). UrgoStart ka treguar një normë shërimi dukshëm më të lartë, krahasuar me një trajtim standard të realizuar në mënyrë korrekte, me 60% më shumë ulçera të shëruara, një kohë shërimi dukshëm më të ulët: 60 ditë më pak, krahasuar me grupin e kontrollit, të cilit iu deshën 180 ditë. Gjithashtu, fillimi i hershëm i trajtimit shton në mënyrë domethënëse mundësinë e shërimit të pacientit, krahasuar me një trajtim standard të realizuar në mënyrë korrekte.
"Sfida, për këtë lloj lezioni, ka të bëjë me arritjen e një shërimi më të mirë dhe në një kohë më të shpejtë. Në fakt, prania e një lezioni e ekspozon pacientin diabetik ndaj një rreziku potencial infeksioni dhe për pasojë, hospitalizimi dhe amputacioni. 60 ditë të fituara do të thonë dy muaj, gjatë të cilëve pacienti nuk i ekspozohet asnjë rreziku, me një përmirësim real të cilësisë së jetës dhe edhe dy muaj kursimi në kuptimin e shpenzimeve", deklaron Alberto Piaggesi, koordinatori italian i studimit Explorer.
"The Lancet Diabetes & Endocrinology" është një nga revistat shkencore më të njohura në nivel ndërkombëtar dhe publikimi i studimit "Explorer" në një revistë kaq prestigjioze nënvizon cilësinë e studimit dhe fushëveprimin e rezultateve të tij", saktëson Sauro Vecchi, menaxher vendor i Urgo Medical Italia.