Diabetologji

kor92018

Diabeti. Drejt diagnostikimit nëpërmjet një mostre të vetme gjaku, në mëngjes esëll

Dozimi i hemoglobinës së glikuar dhe glukozës në mëngjes esëll në një mostër të vetme gjaku, mund të jetë e mjaftueshme për të konfirmuar diabetin.

"Aktualisht, për të përcaktuar diagnozën klinike të diabetit, nevojiten analiza të përsëritura gjaku që duhet të konfirmojnë nivelet e larta të glukozës ose të hemoglobinës A1c (HbA1c), në mënyrë që të reduktohet mundësia e vendosjes së një diagnoze pozitive të pavërtetë. Nuk është e sigurt se dy analiza të ndryshme, të zhvilluara në të njëjtën mostër gjaku, mund të japin një konfirmim të saktë", shpjegon Elizabeth Selvin (Shkolla e Shëndetit Publik në Baltimorë), autore kryesore e studimit. Kërkuesit kanë vlerësuar me këtë lloj analize 13.346 vetë, nga të cilët 12.268 nuk kishin diagnozë diabeti. Ata janë ndjekur për 25 vjet.

Mes pjesëmarrësve pa diabet të diagnostikuar, 978 vetë shfaqën nivele të larta të glukozës esëll ose HbA1c-së në bazë të një mostre, kontrolle që janë bërë në periudhën 1990-1992. Nga këta, 39% i kishin të dyja vlerat të larta (diabet i padiagnostikuar, i konfirmuar), ndërsa 61%, vetëm njërën (diabet i padiagnostikuar, i pakonfirmuar).

Konfirmimi i diabetit nëpërmjet një mostre gjaku, ka treguar një ndjeshmëri të moderuar (54,9%) por specificitet të lartë (98,1%) për identifikimin e rasteve të diabetit të diagnostikuara gjatë 5 viteve të para të ndjekjes. Specificiteti është rritur deri në 99,6% brenda 15 viteve. Vlera parashikuese pozitive në 15 vjet, ka qenë 88.7%, krahasuar me 77.1% për rastet e pakonfirmuara.

Diabeti i konfirmuar i padiagnostikuar ishte i lidhur më fort në mënyrë domethënëse me sëmundje kardiovaskulare dhe renale, si dhe me vdekshmëri, krahasuar me diabetin e pakonfirmuar.

"Përkufizimi konfirmues i diabetit me një mostër të vetme hematike ka treguar një vlerë parashikuese shumë të lartë për diagnozën e mëtejshme dhe ka rezultat i lidhur fort me rezultatet klinike. Rezultatet tona mbështesin domosdoshmërinë klinike për mundësinë e përdorimit të një kombinimi të niveleve të larta të glukozës esëll dhe të HbA1c-së nga një mostër e vetme gjaku, me qëllim identifikimin e diabetit të padiagnostikuar në popullsi.", përfundojnë autorët.

Në një editorial shoqërues, Venkat Narayan e Ram Jagannathan (Universiteti Emory i Atlantës), nënvizojnë se rezultatet duhet të përsëriten, para se kjo të shndërrohet në një praktikë klinike të pranuar.

 

Ann Intern Med. 2018. doi: 10.7326/M18-0091
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29913486

Ann Intern Med. 2018. doi: 10.7326/M18-1477
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29913515


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>