Diabetologji

pri182019

Forca e moderuar fizike, redukton rrezikun për diabet të tipit 2 te të rriturit

Sipas një studimi të publikuar në revistën "Mayo Clinic Proceedings", forca e moderuar muskulare është e lidhur me një zvogëlim të rrezikut për diabet të tipit 2, pavarësisht nivelit të ushtrimeve kardio-respiratore. Duke marrë parasysh rezultatet e hulumtimit, autorët duan të inkurajojnë njerëzit që të përmirësojnë rezistencën fizike me sesione të vogla ushtrimesh, jo domosdoshmërisht të komplikuara.

"Një stërvitje e mirë mund të arrihet edhe me ushtrime për këmbët dhe vithet. Më vonë, ndërsa forcoheni, mund të merret në konsideratë shtimi i peshave të lira ose përdorimi i aparaturave me peshë", thotë autori kryesor Yuehan Wang (Universiteti Shtetëror, Ijoua, SHBA). Hulumtimi përfshinte një numër të përgjithshëm prej 4,681 të rriturish të grupmoshës 20-100 vjeç, që nuk janë prekur nga diabeti në fillim të studimit. Forca e muskujve është matur në pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit dhe është klasifikuar në tri grupe sipas rezultatit të forcës së kombinuar (të ulët, të mesme, të lartë) dhe specifike për moshën dhe gjininë.

Gjatë një ndjekjeje mesatare prej 8.3 vjetësh, 4.9% e pjesëmarrësve kanë zhvilluar diabet. Në një analizë të rregulluar sipas disa elementeve ngatërruese, përfshirë nivelet e ushtrimeve kardio-respiratore, ka dalë se pjesëmarrësit me forcë mesatare kishin rrezik të reduktuar për diabet, në krahasim me ata me nivele të ulëta të forcës muskulare. Në të njëjtën kohë, nuk vërehej asnjë korrelacion i dukshëm midis niveleve të larta të forcës muskulare dhe rasteve të diabetit.

Hulumtuesit treguan kështu efektin pozitiv të zotërimit të forcës fizike të moderuar mbi rrezikun e diabetit dhe thonë se janë të nevojshme studime të mëtejshme për të qartësuar marrëdhënien dozë-përgjigje ndërmjet forcës muskulare dhe diabetit të tipit 2.


Mayo Clin Proc. 2019. doi: 10.1016/j.mayocp.2018.08.037
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30871784


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>