kor152019
Publikohen udhëzimet për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës në diabet
Gjatë punimeve të Kongresit të 79-të të Shoqatës Amerikane të Diabetit (ADA), u prezantuan udhëzimet e reja për monitorimin e vazhdueshëm të glukozës (CGM), të cilat u botuan njëkohësisht në "Diabetes Care". Dokumenti u miratua nga ADA, Shoqata Amerikane e Endokrinologëve Klinikë (AACE), Shoqata Amerikane e Edukatorëve të Diabetit (AADE), Shoqata Evropiane për Studimin e Diabetit (EASD), Fondacioni Evropian Infermieror në Diabet, Shoqata Ndërkombëtare për Diabetin Pediatrik e të Adoleshentëve (JDRF) dhe nga Shoqata Endokrine Pediatrike.
"Me gjithë përhapjen graduale, përdorimi i CGM-së në praktikën klinike mbetet i ulët dhe kontrolli glicemik, nën optimal. Kjo varet pjesërisht nga mungesa e synimeve të qarta dhe të rakorduara me këtë mënyrë të re të monitorimit të diabetit", thotë autori kryesor, Tadej Battelino, kreu i departamentit të endokrinologjisë pediatrike dhe të adoleshentëve në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Lubjanës, Slloveni, duke shtuar se CGM-ja ka potencial për të transformuar trajtimin e diabetit.
"Përdorimi i synimeve glicemike të qarta, të lehta për t'u kuptuar dhe gjerësisht të pranuara, do të ndikojë pozitivisht në prognozën e diabetit afatshkurtër dhe afatgjatë, veçanërisht nëse kuptohet dhe miratohet nga pacientët", shkruajnë studiuesit të cilët, ndër të tjera, rekomandojnë një interval glicemik optimal prej 70-180 mg/dL te diabetikët e tipit 1 e 2 dhe 63-140 mg/dL në shtatzëni. Dokumenti sugjeron gjithashtu edhe synimet CGM konservative për diabetikët më të moshuar ose në rrezik të lartë, me vëmendje të veçantë në reduktimin e kohës së shpenzuar nën 70 mg/dL dhe parandalimin e hiperglicemisë së tepërt.
Autorët gjithashtu theksuan se një mënyrë e rëndësishme për të përkthyer parametrat e rinj të CGM-së në praktikën klinike është të zbatohen raportet standarde, mes të cilëve është edhe profili glicemik ambulatorial (Raporti AGP). "Këto qëllime të standardizuara CGM do të jenë çelësi për përmirësimin e kujdesit te të sëmurët me diabet. Në një kontekst të praktikës klinike, koha e kaluar në intervalet e identifikuara duhet të jetë pjesë përbërëse e monitorimit dhe terapisë së diabetit, siç janë nivelet e hemoglobinës së glikuar (HbA1c)", përfundon Battelino.
Diabetes Care. 2019. doi: 10.2337/dci19-0028
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31177185