tet252021
Në moshën e mesme, zemra e shëndetshme mbron nga diabeti, pavarësisht rrezikut gjenetik
Të rriturit e moshës së mesme, me zemër të shëndetshme, kanë më pak gjasa për të zhvilluar diabet të tipit 2 (DM2), sipas një studimi të botuar në European Journal of Preventive Cardiology. Këtë e ka shpjeguar Fariba Ahmadizar, bashkautore e studimit dhe studiuese në Qendrën Mjekësore Universitare Erasmus në Roterdam, e cila së bashku me kolegët analizuan të dhënat e 5,993 pjesëmarrësve në një studim grupi, të cilët ishin pa DM2 në fillim të studimit.
Mosha mesatare ishte 69 vjeç dhe 58% ishin gra. "Të gjitha subjektet u klasifikuan me një rezultat të shëndetit kardiovaskular që varionte nga 0 në 12 në varësi të indeksit të masës trupore, presionit të gjakut, kolesterolit, pirjes së duhanit, dietës dhe aktivitetit fizik", shkruajnë autorët, duke shpjeguar se rezultatet më të larta tregojnë një shëndet më të mirë kardiovaskular: i dobët (0-5), i moderuar (6-7) dhe ideal (8-12). Gjatë rrjedhës së ndjekjes, 869 pjesëmarrës zhvilluan DM2 dhe duke vlerësuar shëndetin kardiovaskular, studiuesit zbuluan se rreziku për t'u sëmurur gjatë gjithë jetës së mbetur ishte më i ulët te njerëzit me zemër të shëndetshme.
Për shembull, në moshën 55 vjeç, pjesëmarrësit me shëndet kardiovaskular ideal kishin 22.6% rrezik për të zhvilluar DM2 gjatë jetës së tyre krahasuar me 28.3% dhe 32.6% të atyre me shëndet të moderuar ose të dobët të zemrës, respektivisht. Por kjo nuk është e gjitha: Duke vlerësuar rrezikun gjenetik, mundësia për të zhvilluar DM2 në vitet e mëvonshme u ul më tej mes njerëzve me zemër të shëndetshme, në krahasim me bashkëmoshatarët me shëndet të moderuar ose të dobët. Në moshën 55-vjeçare, përqindjet ishin përkatësisht 23.5, 33.7 dhe 38.7.
"Këto rezultate theksojnë rëndësinë e shëndetit kardiovaskular, i përcaktuar si: pesha e shëndetshme, presioni i gjakut dhe kolesteroli i ulët, mospirja e duhanit, konsumimi i një diete të ekuilibruar dhe aktivitet fizik, në parandalimin e DM2 te të rriturit e moshës së mesme, pavarësisht nga rreziku gjenetik. Me fjalë të tjera, një mënyrë jetese e shëndetshme lidhet me një reduktim të ndjeshëm të rrezikut për DM2 për të gjitha kategoritë me rrezik gjenetik, si për burrat, ashtu edhe për gratë", përfundon Ahmadizari.
European Journal of Preventive Cardiology 2021. Doi: 10.1093/eurjpc/zwab141
https://doi.org/10.1093/eurjpc/zwab141