dhj92014
Adoleshentët dhe stresi: duhen instruksione për menaxhimin e tij
Sipas një studimi të kryer nga
Shoqata Psikologjike Amerikane, të rinjtë adoleshentë janë më të stresuar se vetë të riturit. Mbështetja sociale dhe ndërhyrja në momentin e duhur bën që individi i stresuar ta përballojë gjendjen e tij me sukses duke parandaluar agravimin e situatës. Stresi zgjat për një kohë të shkurtër, por në rastet kur stresi bëhet i vazhdueshëm apo kronik gjendja mund të përkeqësohet duke u kthyer në një problem madhor dhe tepër shqetësues për shëndetin. Për shkaqe të njohura apo të panjohura të rinjtë kanë prirjen të bien më shpesh pre e mërzisë së thellë që çon në stres.
Adoleshenca është konsideruar si një periudhë tranzicioni, një periudhë eksituese dhe tepër e zhurmshme. Përballja me sfidat e vazhdueshme si në jetën sociale, ashtu edhe në çështjet intime bën që kjo periudhë të konsiderohet si tepër "delikate" dhe që ka nevojë për një vëmendje të vazhdueshme.
Sipas
James Marks, zëvendës president i
Robert Wood Johnson Foundation, organizatë amerikane e cila për më shumë se 40 vjet ka punuar për përmirësimin e sistemit shëndetësor, pediatrët kanë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e nivelit të stresit që adoleshentët kanë, në shtëpi dhe në shkollë. "Pediatrët amerikanë kanë nisur porgramin
Reach Out and Read, që inkurajon një ndërveprim pozitiv midis fëmijëve dhe prindërve, siç mund të jenë bisedat rreth librave dhe leximit", pohon james Marks duke na kujtuar se mungesa e instruksioneve se si fëmijët duhet të përballen me përditshmërinë e tyre, e bën adoleshencën një periudhë stresante për ta. "Duke njohur domosdoshmërinë e këtyre udhëzuesve dhe programeve të veçanta për prindër dhe adoleshentë, që i ndihmojnë ata të menaxhojnë stresin, ndërhyrje që promovojnë perceptimin pozitiv të procesit të mësim nxënies dhe ndërveprimit me bashkëmoshatarët, është e mundur të përmirësojmë jetën dhe shëndetin e këtyre të rinjve, duke i mbajtur larg ndodhive negative të cilat çojnë deri në kriminalitet", përfundon Marks.