nën22020
Amenorrea kortiko-hipotalamike e shkaktuar nga stresi. Terapitë e reja integruese dhe farmakologjike
Dozat e ulëta të beta-estradiolit janë shfaqur efektive në trajtimin e amenorresë kortiko-hipotalamike nga stresi, problem i cili haset shpesh në praktikën e përditshme klinike, veçanërisht tek adoleshentet. Bëhet fjalë për një mosfunksionim që lidhet me stresin metabolik, fizik ose psikologjik, si për shembull, dieta veçanërisht të rrepta, trajnime intensive ose ngjarje të rëndësishme emocionale. Këta "stresues" ndikojnë negativisht në çlirimin e GN-Rh dhe rrjedhimisht, edhe në boshtin riprodhues, duke aktivizuar ose frenuar në nivel qendror zonat hipotalamike dhe/ose ekstra-hipotalamike. Në veçanti, supozohet një korrelacion midis aktivizimit të boshtit hipotalamus-hipofizë-veshka dhe frenimit të shkaktuar nga stresi i boshtit hipotalamus-hipofizë-vezore (1).
Sistemi opioid, por edhe sistemet dopaminergjike dhe serotonergjike, janë faktorët kryesorë që mund të shkaktojnë amenorrenë; me interes të veçantë është roli që luan endorfina në etiopatogjenezën e amenorresë kortiko-hipotalamike që shkaktohet nga stresi: në përgjigje të një ngjarjeje stresuese, trupi reagon në një mënyrë thuajse "ngushëlluese", duke shtuar prodhimin e opiateve, siç janë beta-endorfinat. Nëse kjo është e përshtatshme në nivelin neurologjik, nuk është në atë endokrinologjik; në fakt, nivelet e rritura të beta-endorfinave ndryshojnë përgjigjen e receptorëve të hipofizës për Gn-Rh hipotalamik, duke ndalur rrjedhjen e kaskadës së sinjalit që do të çojë në çlirimin e gonadotropinave të hipofizës (FSH dhe LH) duke shkaktuar kështu gjendjen e amenorresë kortiko-hipotalamike (nga stresi). Nuk është për t'u habitur që antagonistët opioidë janë treguar të efektshëm në disa forma të amenorresë së shkaktuar nga stresi. Ky është rasti i naloksonit/naltreksonit, të cilët kanë qenë efikasë në rivendosjen e veprimit të saktë GN-Rh hipotalamik në nivelin e hipofizës.
Nëpërmjet ndërhyrjeve të ndryshme terapeutike për këto forma të amenorresë, është propozuar edhe përdorimi i L-acetil-karnitinës që përveç përmirësimit të prodhimit të energjisë në nivelet mitokondriale, kontribuon edhe në inaktivizimin e aminave dhe neuropeptideve (siç janë opioidet) në nivelin qendror, ose të acidit gama-aminobutirik (Gaba), një modifikues i përgjigjes fiziologjike ndaj stresit ose ankthit. Për pasojë, është testuar dobia e derivatit hidrofob të acidit 4-aminobutirik, Pivagabine (PVG). Kjo e fundit ka qenë e aftë të ushtrojë një modulim specifik të sekretimit të GH-së, ACTH-së dhe kortizolit te pacientet me amenorre hipotalamike.
Edhe steroidet e vezoreve luajnë rol në rregullimin e funksioneve hipotalamike dhe hipofizare. Është dokumentuar efikasiteti i trajtimeve me doza të ulëta të estrogjenit të dobët, si për shembull epimestroli, në aktivizimin e sekretimit të LH-së te gratë me oligomenorre ose amenorre. Një hulumtim i kryer në Itali nga grupi Genazzani (2) ka treguar se si administrimi i estriolit 2 mg në ditë për 8 javë bën të mundur induktimin e një rritjeje në nivelet plazmatike të LH-së dhe në amplitudën e majave të LH-së dhe një shtim të përgjigjes së LH-së ndaj bolusit GH-Rh.
Bazuar në këto vëzhgime, autorët besojnë se një priming estrogjenik me estrogjene të dobëta bën të mundur funksionimin më të mirë të boshtit hipotalamus-hipofizë. Rezultate të ngjashme u morën nga po këta studiues edhe në saje të përdorimit të dozave të ulëta (nën-nanomolare) të beta-estradiolit. Në veçanti, studiuesit nënvizojnë se administrimi nën gjuhë i këtyre nano-përqendrimeve të beta-estradiolit (Guna-beta estradiol) në dozimin 20 pika, dy herë në ditë, ka rezultuar efektiv në nxitjen e një rritjeje të konsiderueshme në nivelet plazmatike të LH pas 12 javësh trajtimi (1). Këto doza shumë të ulëta të estradiolit ndoshta janë në gjendje të induktojnë, në nivelin hipotalamik dhe hipofizë, një efekt të ngjashëm me atë të hamendësuar në rastin e administrimit të estriolit. Domethënë, trajtimi do të induktonte një ndjeshmëri të shtuar ndaj GN-Rh dhe një shprehje më të madhe të receptorëve GN-Rh, me pasojë, rritjen e sintezës dhe sekretimin e LH-së.
1 - Genazzani AD et al. Terapia integrativa e farmacologica dell'amenorrea ipotalamica da stress Bollettino di Ginecologia Endocrinologica 2016, Vol. 10: 24-32
2 - Genazzani AD et al. Estriol administration modulates luteinizing hormone secretion in women with functional hypothalamic amenorrhea. Fertil Steril 2012, 97: 483-488