Pediatri

mar252022

Adoleshenca e hershme. Stresi, shtimi në peshë dhe ankthi social janë të lidhur me njëri-tjetrin

Një studim i publikuar në Science Advances arrin në përfundimin se stresi në periudhën peripubertale çon në shtimin e indit dhjamor në trupin e individit.

"Periudha peripubertale, që qëndron midis fëmijërisë dhe adoleshencës, përfshin ndryshime zhvillimore si në indin dhjamor, ashtu edhe në nivelin konjitiv, që mund të shkaktojnë ndryshime të qëndrueshme në adipocite dhe në sjelljen sociale", shpjegon bashkautorja Carmen Sandi, profesoreshë e gjenetikës së sjelljes në EPFL (École Polytechnique Fédérale de Lausanne), duke kujtuar se stresi mund të shkaktojë psikopatologji si depresioni. "Disa nga ndryshimet e sjelljes tipike të depresionit janë ndryshime në socializimin e individit, që do të thotë se disa njerëz depresivë priren të jenë më të tërhequr nga pikëpamja sociale dhe mund të zhvillojnë edhe ankth social", vijon studiuesja, e cila së bashku me kolegët, ka zbuluar së pari se stresi peripubertal çon në shtim të indit dhjamor dhe në të njëjtën kohë, redukton shoqërueshmërinë dhe së dyti, se të dyja fenomenet janë të lidhura biologjikisht.
"Për të identifikuar mekanizmat themelorë biologjikë, ne kryem një sërë testesh që identifikuan një enzimë specifike të quajtur adipokina nikotinamide fosforiboziltransferazë (NAMPT), që dihet se është e përfshirë në disa çrregullime të shkaktuara nga obeziteti", shkruajnë autorët, duke specifikuar se në organizëm, NAMPT-ja ekziston në dy forma:

- Në formën ndërqelizore: rregullon prodhimin e nikotinamid adenine dinukleotidit (NAD +), një substrat i rëndësishëm i energjisë qelizore.
- Në formën jashtëqelizore (eNAMPT): i pranishëm në gjak.

Edhe minjtë e stresuar në periudhën e pubertetit krahasuar me ata që nuk janë, tregojnë një ulje të NAMPT-së në qelizat dhjamore dhe rrjedhimisht, të eNAMPT-së në gjak në moshë madhore. Hapat e ardhshëm ishin dy: rikthimi i niveleve hematike të eNAMPT-së në normalitet, ose ushqyerja e minjve me nikotinamid mononukleotid (NMN) për të rritur prodhimin e NAD+.
"Të dyja qasjet funksionuan", thotë Sandi, e cila përfundon: "Kjo nuk do të thotë që të gjithë fëmijët dhe adoleshentët e stresuar duhet të marrin suplemente me bazë NMN-je, por vetëm se në raste specifike, kontrollimi i niveleve plazmatike të NMN-së ose eNAMPT-së mund të jetë i rëndësishëm. Ajo që ka kuptim është të rivendosen nivelet e ulëta metabolike, jo të trajtohen të gjithë në të njëjtën mënyrë".


Science Advances 2022. Doi: 10.1126/sciadv.abj9109
http://doi.org/10.1126/sciadv.abj9109


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>