Focus

maj272016

Aspirina nuk e përmirëson prognozën e sindromës së distresit respirator akut

tags: Aspirinë

Në një studim të publikuar në "Jama", Daryl Kor nga Mayo Clinic në Rocester (SHBA) dhe kolegët e tij kanë vlerësuar efikasitetin dhe sigurinë e administrimit të hershëm të aspirinës në parandalimin e sindromës së distresit respirator akut. "Në përgjithësi periudha mes shtrimit në spital dhe shfaqjes së sindromës, e vlerësuar në rreth dy ditë, përfaqëson një dritare, ndonëse të shkurtër, për një parandalim të mundshëm", pohon kërkuesi, duke saktësuar se studimet e fundit vëzhguese sugjerojnë një rol potencial parandalues  të terapisë antiagregante te pacientët me mundësi të mëdha për të zhvilluar sindromën e distresit respirator akut. 

Për të thelluar argumentin, Kor dhe kolegët kanë grupuar pak a shumë 400 pacientë në risk për sindromën e distresit respirator akut, duke u bazuar në rezultatin parashikues të dëmit pulmonar për të marrë aspirinë ose placebo brenda 24 orëve nga prezantimi i ndihmës së shpejtë. Nga studimi i fazës IIb, në të cilin kanë marrë pjesë 16 spitale universitare amerikane, del megjithatë se administrimi i aspirinës  krahasuar me placebon nuk e redukton në mënyrë domethënëse incidencën e sindromës së distresit respirator akut, me përqindje respektive prej 10.3% dhe 8.7%.

Rezultate të ngjashme në të dyja grupet ka pasur edhe sa i takon efekteve anësore, ditët pa ventilues, qëndrimi në terapinë intensive dhe mbijetesa në një vit. "Këto të dhëna nuk e mbështesin kalimin në një studim të fazës III", përfundojnë autorët.

Dhe në një editorial, Jason Christie nga "Perelman School of Medicine" në Filadelfia shkruan: "Sindroma e distresit respirator akut vazhdon të ketë një shkallë të lartë vdekshmërie dhe sëmundshmërie te pacientët në kushte kritike. Kuptimi më i mirë i patogjenezës së saj, falë kontributit të këtij studimi dhe i të tjerëve aktualisht në vazhdim, mund të na ofrojë mundësinë për të identifikuar terapinë farmakologjike të aftë për të përmirësuar prognozën e kësaj sëmundjeje të rëndë".   

 

JAMA 2016. doi: 10.1001/jama.2016.6330
JAMA 2016. doi: 10.1001/jama.2016.5988


 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>