jan222018
Përdorimi i cigares elektronike, nargjiles, burnotit... i çon adoleshentët drejt duhanpirjes
Mes adoleshentëve që përdorin cigare elektronike dhe produkte të tjera me bazë duhanin, por jo cigaret në formën e tyre tradicionale, rreziku i nisjes së duhanpirjes një vit më pas shtohet në mënyrë të dukshme. Ky është rezultati i një studimi të publikuar në "JAMA Pediatrics" dhe i financuar nga Institutet Kombëtare të Shëndetit dhe FDA-ja.
Autorët, të koordinuar nga Benjamin Chaffee (Qendra për Kontrollin dhe Edukimin mbi Duhanin, Universiteti i Kalifornisë), kanë studiuar nisjen e duhanpirjes te më shumë se 10.000 pjesëmarrës në studimin PATH (Vlerësimi i Popullsisë mbi Duhanin dhe Shëndetin), zhvilluar në nivel kombëtar.
"Intervistuar për herë të parë në moshën 12-17 vjeç, gati gjysma e pjesëmarrësve të kohortes thonin se para se të nisnin duhanpirjen, kishin përdorur cigare elektronike, nargjile, burnot ose ndonjë lloj tjetër duhani që nuk thithet nëpërmjet tymit, por jo cigare tradicionale, ndërsa pjesa tjetër e grupit nuk kishte përdorur kurrë duhan", shkruajnë kërkuesit, duke shtuar se në intervistën e dytë, një vit më vonë, 4,6% e pjesëmarrësve thonin se kishin pirë të paktën një cigare.
Por, ajo që bie në sy, është që te të rinjtë, të cilët fillimisht kishin përdorur duhan, mundësia e pirjes së cigareve në 30 ditët e fundit dyfishohej, mundësi të katërfishuara këto te bashkëmoshatarët që kishin përdorur më shumë se një burim duhani, jo me cigare.
Hamendësimi i autorëve është se, cigaret elektronike fillimisht tërheqëse për të rinjtë, favorizojnë tranzicionin drejt duhanpirjes, nëpërmjet, për shembull, varësisë nga nikotina ose stimulimit sensomotorik.
"Mungojnë hamendësime analoge për produkte të tjera me bazë duhanin, por ka mundësi që faktorë të ngjashëm me ata që ndikojnë për cigaren elektronike, të luajnë një rol analog", thotë Chaffee. "Nga të dhënat tona rezulton se përdorimi i duhanit jo në formën e cigares, është i lidhur në mënyrë domethënëse me rrezikun e nisjes së duhanpirjes. Këto rezutate u hapin rrugë studimeve të ardhshme që vënë përballë mekanizmat e propozuar, duke vëzhguar në mënyrë perspektive modelet e përdorimit, varësisë, përqindjen e rrezikut dhe nisjen e mëvonshme të duhanpirjes".
JAMA Pediatr. doi:10.1001/jamapediatrics.2017.4173
https://jamanetwork.com/journals/jamapediatrics/article-abstract/2666219?redirect=true