mar82018
A janë të paanshme studimet klinike të financuara nga industria ushqimore?
Sipas një studimi të publikuar në "Science", fakti që kërkuesit e Harvardit në vitet gjashtëdhjetë janë subvencionuar nga industria e sheqerit, nuk do të thotë se studimet e tyre kanë qenë të njëanshme, kur kanë vënë në dukje rreziqet e yndyrnave ushqimore dhe jo ato të sheqerit.
"Disa studiues kanë veçuar prova që ata i kanë quajtur "dërrmuese" për të vënë në dukje ndërhyrjen e industrisë së sheqerit në shkencë dhe në "përmbysjen" e politikës ushqimore. Këto deklarata vijnë në një moment kur po bëhet një ndryshim i ushqyerjes, me një zhvendosje të vëmendjes nga yndyrnat, te sheqeri", shprehen David Merritt Johns-i dhe Gerald Oppenheimer-i, historianë në Universitetin e Nju Jorkut, autorë të studimit.
Kërkuesit, që janë përqendruar në interpretimin e dokumenteve të ardhura nga arkivat historike, ashtu si edhe të atyre të transmetuara me gojë, argumentojnë se studiues të tjerë që kanë shqyrtuar këtë çështje, e kanë keqinterpretuar rendin e ngjarjeve. Në mesin e viteve gjashtëdhjetë, nutricionistët e Harvardit, të udhëhequr nga Mark Hegstedi, sapo kishin përfunduar një studim që tregonte se konsumimi i yndyrnave të ngopura nga ushqime të tilla si gjalpi, rriste nivelin e kolesterolit, gjë që shkaktoi zemërimin e industrisë së qumështit e cila kishte financuar kërkimet. Gjatë studimit ishte shqyrtuar edhe sheqeri, që kishte treguar një efekt të dobët. Industria e sheqerit u vu në dijeni të rezultatit dhe u ofroi mbështetje ekonomike shkencëtarëve të Harvardit për të rishikuar literaturën dhe për t'u thelluar në teoritë e tyre.
Johns-i dhe Oppenheimer-i, vënë re se puna e shkencëtarëve të Harvardit mbi yndyrnat dietike është ndërtuar mbi paradigmën ushqimore mbizotëruese në atë periudhë, në të cilën, sheqeri nuk luante pothuajse asnjë rol. Shoqata Amerikane e Zemrës dhe qeveria e SHBA-së kishin përqafuar konceptin e përmbajtjes së ulët të yndyrnave, që bazohej në kërkimin metabolik dhe në epidemiologjinë e kohëve avangarde. Autorët nënvizojnë edhe se bashkëpunimet e kërkuesve me industrinë ushqimore kanë qenë të përhapura në atë kohë, ashtu si edhe në të sotmen, vetëm se në atë kohë nuk kërkoheshin informacione mbi atë që kishte mbështetur kërkuesit. Ata përfundojnë duke nënvizuar se jo gjithmonë duhet të mendojmë se shkenca është e korruptuar nga subvencionet private.
Science. 2018. doi: 10.1126/science.aaq1618
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29449481