gus32022
Shtatzënia. Ushqimet e yndyrshme dhe me sheqer mund të kenë efekte negative edhe te gratë me peshë normale
Një dietë e pasur me sheqer dhe yndyrë, si burgerë, patate të skuqura dhe pije me gaz, mund të ndikojë negativisht në qumështin e gjirit dhe shëndetin e foshnjës edhe para ngjizjes. Në këtë përfundim ka arritur një studim i publikuar në revistën Acta Physiologica.
Studimi, i cili përdori minj laboratori, zbuloi se edhe një konsum relativisht i shkurtër i një diete "me ushqim të shpejtë" ndikon në shëndetin e nënës duke reduktuar aftësinë për të prodhuar qumësht të ushqyeshëm pas lindjes. Kjo mund të ndikojë në mirëqenien e foshnjës, si dhe të rrisë rrezikun që nëna dhe foshnja të zhvillojnë kushte të tilla, si: sëmundje kardiovaskulare, iktus dhe diabet me kalimin e viteve.
Obeziteti është rikrijuar më parë te minjtë, por shumica e studimeve janë fokusuar në efektet e tij afatgjata. Në këtë studim të ri, minjtë u ushqyen me një dietë me yndyrë të lartë përveç qumështit të kondensuar të ëmbël për tre javë para shtatzënisë, gjatë tre javëve të shtatzënisë dhe 3 javë të tjera pas lindjes. Kjo dietë u krijua për të imituar përmbajtjen nutricionale të ushqimit të shpejtë, patateve të skuqura dhe pijeve të gazuara me sheqer. Qëllimi ishte përcaktimi i ndikimit në fertilitet, në rritjen e fetusit dhe rezultatet neonatale.
Studiuesit zbuluan se një dietë afatshkurtër me yndyrë dhe sheqer të lartë ndikoi gjithashtu në mbijetesën e të vegjëlve pas lindjes, me vdekshmëri më të lartë gjatë periudhës së laktacionit. Proteinat e qumështit janë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e të porsalindurit, por ato ishin të pakta te nënat që ndoqën një dietë të pasur me yndyrë dhe sheqer.
Dihet tashmë se një dietë e pasur me yndyrë dhe sheqer po kontribuon në rritjen e indeksit të masës trupore dhe obezitetit në mbarë botën. Si rezultat, 52.7% e grave në mbarë botën janë mbipeshë ose obeze në momentin e konceptimit, duke shkaktuar probleme si në arritjen, ashtu edhe në mbajtjen e një shtatzënie të shëndetshme.
Koordinatorja e studimit Sferruzzi Perri tha se është e rëndësishme që gratë të edukohen për një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar para, gjatë dhe pas shtatzënisë. "Gratë që janë të prirura të konsumojnë sasi të mëdha sheqeri dhe yndyre mund të mos e kuptojnë ndikimin që kjo mund të ketë në shëndetin e tyre, veçanërisht nëse nuk ka një ndryshim të dukshëm në peshën e tyre trupore. Në vend të kësaj, ato mund të kenë nivele më të larta të masës yndyrore, gjë që është një parashikues i shumë problemeve shëndetësore, si para lindjes, ashtu edhe për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës së palindur", tha mjekja.
Me ushqime të shpejta dhe të përpunuara, shpesh më të lira për t'u blerë, profesoresha mendon se varfëria dhe pabarazia mund të jenë pengesa për adoptimin e një stili jetese të shëndetshëm. "Kushton shumë para për të blerë ushqime të shëndetshme, për të blerë fruta, perime të freskëta, dhe mish pa yndyrë. Shpeshherë, opsioni më i thjeshtë dhe më i lirë është blerja e ushqimeve të përpunuara, të cilat priren të jenë të larta në sheqer dhe, me rritjen e kostos së jetesës, familjet që janë të varfra kanë më shumë gjasa të hanë ushqime me vlerë të ulët nutricionale", tha profesoresha. Këto dieta mund të krijojnë një vazhdimësi ndikimesh negative në shëndet, me implikime për brezat pasardhës", përfundon Perri.