tet262018
Tatuazhet. Pasojat më të rënda i kanë njerëzit me imunitet të komprometuar
Bërja e një tatuazhi mund të ketë komplikime të papritura kur sistemi imunitar nuk është në gjendje të mirë, sipas një artikulli të botuar në "BMJ Case Reports". "Pacientët nuk kanë gjasa ta diskutojnë me mjekun e tyre vendimin për të bërë tatuazh. Pacientë me imunitet të komprometuar për një kohë të gjatë janë shpesh të rinjtë të cilët janë gjithashtu më të predispozuar të marrin vendimin për të bërë një tatuazh dhe është e ditur tashmë se ata janë më të ekspozuar ndaj rrezikut për infeksione, përfshi infeksionet mykobakteriale të lëkurës. Kështu, ata përfaqësojnë një grup që është potencialisht në rrezik të lartë për komplikime të lidhura me tatuazhet dhe që meriton vëmendje të veçantë", shpjegon William Thomas Wilson, Mannix O'Boyle dhe William Leach, autorë të studimit.
Të tre mjekët kanë trajtuar një paciente për dhimbje kronike në anën e majtë të legenit, gjurit dhe të kofshës disa muaj pasi bëri një tatuazh. Gruaja ishte trajtuar me barna imunosupresive për disa vjet, pas një transplantimi të dyfishtë të mushkërive në vitin 2009. Pacientja, që kishte bërë tashmë një tatuazh disa vite më parë në këmbën e djathtë, pa asnjë efekt negativ, kishte vendosur të bënte një tjetër në kofshën e majtë dhe nëntë ditë pas tatuazhit, ajo ka shfaqur dhimbje në gjurin dhe në kofshën e majtë, me nevojën për barna të forta kundër dhimbjes. Pas 10 muajsh, ende me dhimbje, ajo iu drejtua një klinike reumatologjike, por testet të cilave iu nënshtrua, rezultuan negative.
Më vonë, një biopsi e muskujve të kofshës zbuloi se ajo vuante nga një miopati inflamatore muskulare kronike. Kjo patologji mund të lindë në mënyrë spontane, por në këtë rast mjekët besojnë se ajo ka të ngjarë të jetë e lidhur me procesin e bërjes së tatuazhit, me pasoja të përkeqësuara nga një sistem imunitar i komprometuar. Duke nisur trajtimin me fizioterapi, gruaja nuk kishte ndonjë dhimbje pas tre vjetësh.
"Ne e pranojmë se nuk ka prova për të vërtetuar përfundimisht efektin shkaktues, por koha e fillimit dhe vendosja e simptomave ishin të lidhura me tatuazhin dhe nuk kishte faktorë të tjerë të identifikuar që mund të shkaktonin sëmundjen", shkruajnë autorët. Është e paqartë se si tatuazhet mund të kenë ndikuar te simptomat, por dihet se lloji i bojës ose ngjyrave të përdorura në tatuazhe mund të shkaktojë reaksione, veçanërisht nëse nuk përdoret një material i përshtatshëm.
BMJ Case Rep. 2018. doi: 10.1136/bcr-2018-224968
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29914878