nën262018
Paaftësia nga artriti reumatoid. Kujdes me obezitetin, por edhe me rënien në peshë
Pacientët e rritur dhe shumë obezë, me artrit reumatoid, vuajnë nga përparimi më i shpejtë i sëmundjes, sesa pacientët që nuk janë mbipeshë, sipas rezultateve të një studimi të publikuar në "Arthritis Care & Research". Ky përfundim është veçanërisht i rëndësishëm kur merret parasysh rritja e normave të obezitetit gjatë viteve të fundit.
"Pacientët dhe reumatologët mund të përqendrohen kryesisht në aktivitetin e sëmundjes, por ne duhet të marrim në konsideratë edhe këtë kusht të përbashkët, që mund të kontribuojë te problemet të cilat zakonisht i atribuohen artritit", thotë Joshua Baker (Universiteti i Pensilvanisë), autori kryesor i studimit.
Hulumtuesit kanë dashur të shqyrtojnë efektet e obezitetit në kohë, te pacientët me artrit reumatoid, duke vlerësuar të dhënat e 23,323 personave të prekur nga sëmundja, në Bankën Kombëtare të të Dhënave për Sëmundjet Reumatike dhe ato të 1,697 vetëve nga regjistri Veterans Affairs RA. Rezultatet e analizës së tyre treguan se obeziteti i rëndë ishte i lidhur me një progres më të shpejtë të aftësisë së kufizuar. Nga ana tjetër, analiza tregoi gjithashtu se pacientët që binin në peshë, prireshin të bëheshin me aftësi të kufizuara më shpejt, veçanërisht ata që ishin tashmë të dobët.
"Ne besojmë se ndodh kështu, sepse kur plaken dhe vuajnë nga sëmundjet, njerëzit tentojnë të bien në peshë. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për rënie të qëllimshme", shpjegon Bakeri.
"Studimi ynë sugjeron që pacientët me artrit reumatoid dhe obezitet të përfitojnë nga humbja e qëllimshme e peshës përmes një strategjie gjithëpërfshirëse të menaxhimit, ama, kur shohim se dikush po bie në peshë pa u përpjekur, ndoshta është një shenjë e keqe prognostike, veçanërisht nëse pacienti është tashmë i dobët. Për më tepër, humbja e pavullnetshme e peshës duhet të na paralajmërojë se pacienti mund të bëhet i brishtë dhe të rrezikohet nga zhvillimi i aftësive të reja të kufizuara", vazhdon ai.
Sipas autorëve, këto gjetje do të ndihmojnë që pacientët me artrit të kenë më shumë qasje ndaj terapive të reja dhe rënies në peshë, për të ndihmuar në parandalimin e aftësisë së kufizuar afatgjatë dhe gjithashtu, mund të inkurajojnë ofruesit e kujdesit shëndetësor që ta shohin humbjen e pavullnetshme të peshës si një shenjë negative prognostike, për t'u rekomanduar pacientëve terapi fizike dhe ndërhyrje të tjera për të parandaluar aftësitë e kufizuara.
Arthritis Care & Research 2018. doi: 10.100/acr.23579
http://doi.wiley.com/10.100/acr.23579