Focus

shk82019

Këputja e tendinës së Akilit. Trajtimi, me apo pa kirurgji?

Ndërhyrja kirurgjikale në rastin e këputjes së tendinës së Akilit është një procedurë që ka si pasojë reduktimin e rrezikut për një këputje të dytë, por edhe shtimin e rrezikut për komplikacione, sipas një metanalize të publikuar në "British Medical Journal".

"Ky dëmtim haset shumë shpesh dhe është më i zakonshmi në popullsinë e re dhe në mesomoshë. Studime të kohëve të fundit tregojnë se incidenca e këputjes së tendinës së Akilit madje është shtuar për arsye se popullsia e moshuar, është gjithnjë e më aktive", shpjegon Yassine Ochen (Universiteti i Utrehtit në Holandë), autor kryesor i studimit. Kërkuesit janë përpjekur të krahasojnë normën e përsëritjes së këputjes, të komplikacioneve dhe të rezultatit funksional me trajtimin kirurgjikal, krahasuar me atë pa operacion, nëpërmjet një analize që ka përfshirë 10 studime me përzgjedhje rastësore dhe 19 studime vëzhguese. Në këto studime, thuajse 16.000 pacientë i janë nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale ose kanë marrë trajtim jo kirurgjikal, për këputjen e tendinës së Akilit.

Kështu, një këputje e re është verifikuar në 2,3% të pacientëve në grupin kirurgjikal dhe te 3,9% në grupin jo kirurgjikal. Megjithatë, janë verifikuar komplikacione në 4,9% të pacientëve në grupin kirurgjikal, përkundër 1,6% të atyre në grupin jo kirurgjikal. Komplikacioni më i zakonshëm me kirurgji ka qenë infeksioni, ndërkohë që me trajtimin jo kirurgjikal, ka qenë tromboza venoze e thellë.

Kthimi te praktika sportive apo në punë ka rezultuar i ngjashëm mes të dyja grupeve. Sipas Nicola Maffulli-t (Universiteti i Salernos) dhe Giuseppe Peretti-t (Instituti Ortopedik Galeazzi në Milano), autorë të një editoriali shoqërues, rëndësia klinike e dallimeve është e diskutueshme.

"Menaxhimi jo kirurgjikal është dukshëm më ekonomik dhe eviton komplikacionet e kirurgjisë, por nuk duhet harruar se teknikat e riparimit kirurgjikal më pak invaziv, që zhvillohen në mënyrë ambulatore, me anestezi lokale, mund të jenë të sigurta dhe efikase. Mbetet gjithsesi thelbësore një qasje e personalizuar që përfshin procesin vendimmarrës me pacientin, i cili duhet të jetë plotësisht i informuar", përfundojnë editorialistët.

 

BMJ. 2019. doi: 10.1136/bmj.k5120
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30617123

BMJ. 2019. doi: 10.1136/bmj.k5344
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30617220


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>