jan202020
Vaksinimi HPV: Efektiviteti i programeve të vaksinimeve dhe vetë vaksinat
Një studim ka vlerësuar efikasitetin, imunogjenicitetin dhe dëmin e llojeve të ndryshme të vaksinave kundër papillomavirusit njerëzor (HPV) dhe programet e vaksinimit për gratë dhe burrat. Ekzistojnë 3 vaksina të disponueshme kundër HPV-së, virusit që qëndron në bazë të shumicës së kancereve të qafës së mitrës dhe që është përgjegjës për një pjesë të kancereve të tjera anogjenitale dhe orofaringale: bivalente, kuadrivalente dhe nonavalente. Ka rezultuar se dy të parat mbrojnë nga lezionet prekanceroze të qafës së mitrës, por administrimi i vaksinave mbetet i ulët në shumë vende.
Në rishikimin e publikuar në "Cochrane Library", autorët përmblodhën rezultatet e 20 studimeve me përzgjedhje rastësore, të kryera mbi 31.940 individë. Te vajzat 9-15 vjeçe (4 studime), përgjigjet e antitrupave ishin të ngjashme, pas programeve të vaksinimit me 2 apo 3 doza. Këto përgjigje, tek adoleshentët e të dyja gjinive 9-14 vjeç, ishin më të forta kur intervali midis 2 dozave të para ishte më i gjatë. Një studim që përfshinte meshkuj të grupmoshës 16-26 vjeç tregon se vaksina kuadrivalente uli incidencën e lythave dhe lezioneve të jashtme gjenitale. Nga një studim i kryer në një popullatë femërore të së njëjtës moshë, del se kuadrivalentja dhe nonavalentja kanë ofruar një nivel të ngjashëm mbrojtjeje përsa iu përket lezioneve prekanceroze cervikale, vaginale dhe vulvare. Gjithashtu, janë analizuar studime mbi njerëzit me HIV. Te fëmijët e vaksinuar kundër HPV-së me vaksinën bivalente apo atë kuadrivalente, janë vëzhguar përgjigje antitrupash më të larta, krahasuar me kontrollin, për një periudhë maksimale prej 24 muajsh.
Në fund, deri në 90% e pjesëmarrësve të vaksinuar patën efekte të vogla anësore lokale në vendin e injektimit, të tilla si: skuqje, ënjtje dhe dhimbje. Në të njëjtën kohë, siguria e programeve të ndryshme të vaksinimit nuk ka marrë parasysh normën e ulët të ngjarjeve anësore serioze në grupet që morën vaksinën kuadrivalente apo nonavalente. Jo Morrison nga Spitali Musgrove Park në Mbretërinë e Bashkuar shpjegoi se janë të nevojshme studime afatgjata për të siguruar të dhëna mbi efektet intervaleve mes dozave, programeve dhe vaksinave në kanceret e lidhura me HPV-në dhe gjithashtu, për të krijuar një panoramë më të plotë në lidhje me problematikat e rralla.
"Sidoqoftë, me më pak doza që kanë një përgjigje të ngjashme me antitrupat dhe prova më të mëdha nga studimet mbi vaksinat te djemtë, krijuesit e politikave tani janë në një pozitë më të mirë për të përcaktuar se si mund të hartohen programet lokale të vaksinimit", tha ai.
Cochrane Database Syst Rev. 2019 Nov 22;2019(11). doi: 10.1002/14651858.CD013479.
https:// www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31755549