Gjinekologji

nën162021

Me vaksinën anti-HPV, 87% më pak raste të kancerit të qafës së mitrës

Gratë që janë vaksinuar kundër papillomavirusit kur ishin 12-13 vjeçe, preken më pak nga kanceri i qafës së mitrës. Në fakt, mes të vaksinuarave ka 87% më pak raste të kancerit se në një grup analog të grave të pavaksinuara. Ky është rezultati i një studimi të parë afatgjatë që ofron evidencën e parë të drejtpërdrejtë të efikasitetit të vaksinës kundër papillomavirusit në parandalimin e kancerit. Studimi i botuar në revistën Lancet, mori në konsideratë një nga vaksinat e para që hyri në përdorim kundër papillomavirusit, vaksinën Cervarix, e cila parandalon infeksionet nga dy llojet më të zakonshme të papillomaviruseve të lidhura me kancerin e qafës së mitrës. Fushata e vaksinimit me këtë vaksinë ka filluar në vitin 2008 dhe femrat e vaksinuara janë ndjekur deri në vitin 2019.

Studimi u drejtua nga Peter Sasieni (King's College në Londër) dhe tregon se shkalla e kancerit të qafës së mitrës është reduktuar me 62% te gratë që janë vaksinuar kundër papillomavirusit kur ishin më të mëdha, pra, 14-16 vjeçe, ndërsa është zvogëluar me 34% te gratë që ishin vaksinuar kur kishin mbushur moshën 16-18 vjeçe, pra, më vonë. Këto rezultate tregojnë se shmangia e infeksioneve nga papillomavirusi mund të parandalojë kancerin e qafës së mitrës, i cili lidhet drejtpërdrejt me lezionet e indit të qafës së mitrës të shkaktuara nga kjo familje virusesh. "Ndikimi i fushatës së vaksinimit ishte i madh", tha profesor Sasieni. Në përgjithësi, studimi, bazuar në të dhënat në Angli, vlerësoi se programi anti-HPV parandaloi rreth 450 kancere dhe 17,200 gjendje parakanceroze. Në Britaninë e Madhe, vaksina u ofrohet aktualisht vajzave në moshën 11-13 vjeçe.

Nga viti 2019, profilaksia është e aksesueshme edhe për djemtë, pasi format e kancerit që rrjedhin nga papillomavirusi mund të prekin edhe meshkujt. Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i katërt më i zakonshëm i grave në mbarë botën, duke vrarë më shumë se 300,000 njerëz çdo vit. Pothuajse nëntë nga dhjetë vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku ka pak akses për ekzaminim dhe vaksinim. Më shumë se 100 shtete kanë nisur fushata profilaktike në kuadër të planit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të eliminuar këtë sëmundje.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>