shk172020
Muzika ritmike ndihmon në ushtrimet fizike të rezistencës
Dëgjimi i muzikës me ritëm të shpejtë gjatë ushtrimeve fizike, veçanërisht atyre të rezistencës, mund të reduktojë përpjekjen e perceptuar dhe për këtë arsye të shtojë përfitimet, sipas rezultateve të një studimi të botuar në "Frontiers in Psychology".
Studimet e mëparshme kanë dokumentuar përfitimet e dëgjimit të muzikës gjatë ushtrimeve fizike, të tilla si shpërqendrimi nga lodhja e parehatia dhe pjesëmarrja në rritje në stërvitje. Sidoqoftë, perceptimi i muzikës është shumë subjektiv dhe i lidhur me faktorët kulturorë e preferencat personale dhe aspekte të ndryshme mund të kontribuojnë në këtë përvojë. Studiuesit kanë nisur të studiojnë efektin e ritmit të një pjese muzikore te disa vullnetare që praktikuan një ushtrim rezistence (ecje në pistën e vrapimit), ose një ushtrim me intensitet të lartë (përdorimi i një pajisjeje me shtytje për muskujt e këmbëve).
Vullnetaret i përfunduan seancat e stërvitjes në heshtje ose duke dëgjuar muzikë pop me shpejtësi të ndryshme. Ekspertët regjistruan disa parametra, përfshirë pikëpamjet e vullnetareve mbi përpjekjet e nevojshme për t'i përfunduar ushtrimet, si dhe rrahjet e zemrës gjatë ushtrimit. "Kemi zbuluar se dëgjimi i muzikës me ritme të shpejta gjatë stërvitjes lidhej me rrahje më të shpejta të zemrës dhe sforcim më të ulët të perceptuar sesa tek ato që nuk kishin dëgjuar muzikë. Kjo do të thotë se stërvitja dukej se kërkonte më pak përpjekje, por ishte më e dobishme përsa i përket përmirësimit të formës fizike", shpjegon Luca Ardigò (Universiteti i Veronës), bashkautor i studimit. Efektet ishin më të dukshme te vullnetaret që përfunduan seanca rezistence sesa tek ato që ushtronin ushtrime me intensitet të lartë.
Studiuesit shpresojnë se këto gjetje mund të ofrojnë një mënyrë të thjeshtë për të përmirësuar nivelet e aktivitetit fizik, por do të jenë të nevojshme studime të mëtejshme edhe më të mëdha për të vazhduar hulumtimin e nuancave të ndikimit të muzikës në stërvitje. "Kemi studiuar efektin e tempit muzikor në stërvitje, por në të ardhmen do të donim të vlerësonim edhe efektet e karakteristikave të tjera, siç janë zhanri, melodia ose teksti mbi rezistencën dhe mbi ushtrimet me intensitet të lartë", përfundon Ardigò.
Frontiers in Psychology 2020. Doi: 10.3389/fpsyg.2020.00074
https://dx.doi.org/10.3389/fpsyg.2020.00074