Focus

mar122020

Coronavirusi dhe terapitë. SIF: Në ç'pikë gjenden kërkimet dhe cilat barna janë në horizont?

Në subjektet e prekura nga Covid-19, disa shërohen spontanisht dhe të tjerë marrin trajtime me barna. Por, cilat janë barnat e përdorura? A ka barna që luftojnë coronavirusin? SIF (Shoqata Italiane e Farmakologjisë) qartëson situatën.

Mes rasteve të personave të prekur nga Covid-19, disa shërohen spontanisht dhe të tjerë marrin edhe trajtime me barna. Cilat janë barnat e përdorura? A ka barna që e luftojnë coronavirusin te pacientët? Apo janë përdorur vetëm barna aktive mbi simptomat dhe shërimi ka qenë spontan si për të tjerët? Shoqata Italiane e Farmakologjisë u përgjigjet këtyre dhe pyetjeve të tjera për të sqaruar hipotezat, strategjitë, eksperimentet dhe disa siguri për të kuptuar se në ç'pikë është puna e komunitetit shkencor.


A ka barna të dobishme për të luftuar infeksionin nga Covid-19 te pacientët?

Përgjigjja për këtë pyetje kërkon një parantezë. Barnat duhet të kenë një objektiv specifik, domethënë duhet të njohësh dhe të izolosh një "pjesë" të virusit, që i jep atij mundësi të shumëfishohet. Kjo është një strukturë molekulare, pra, përfshihet në patologjinë që, e modifikuar nga bari, prodhon efektin farmakologjik dhe për këtë arsye, favorizon shërimin.
Covid-19 është i ri dhe, për të identifikuar një bar të aftë për të vepruar kundër tij, është e nevojshme të identifikohet struktura apo strukturat e virusit, që duhet të jenë objektivi për të cilin folëm, në mënyrë që ai të sulmohet me sukses. Për shembull, kur virusi përgjegjës për SIDA-n u identifikua në vitin 1983, bari i parë që ishte i suksesshëm në kontrollin e sëmundjes, Zidovudine ose Azt (azidotimidine) erdhi vetëm në vitin 1987, sepse kërkonte më parë, që të njihej mekanizmi me të cilin virusi riprodhohet në qelizën e infektuar. Futja e kësaj molekule modifikoi historinë klinike të infeksionit dhe krijoi kushtet për njohjen e objektivave të tjerë të dobishëm. Këto bënë të mundur identifikimin e barnave që sot paraqesin mjetet për kontrollin e kësaj sëmundjeje virale.


Çfarë leksioni na jep përvoja me infeksionin nga HIV-i?

Sot, ne po përballemi me një emergjencë shumë të ngjashme me atë që goditi njerëzimin në vitin 1983, në rastin e SIDA-s. Edhe sot, përballemi me një virus për të cilin dimë pak. Sigurisht, ne e dimë që kodi i tij gjenetik është në RNA (si ai i viruseve të gripit, HIV, Sars, Ebola), dimë se ka një shkallë të lartë infeksioni (kalon shumë lehtë nga një individ i sëmurë te një tjetër i shëndetshëm), por ende duhet të dimë se si zhvillohet infeksioni, sepse është kaq i ndryshëm nga individi në individ; disa individë nuk e shfaqin sëmundjen ndërsa të tjerët përballen me pneumoni shumë serioze, shpesh, vdekjeprurëse. Duhet t'u përgjigjemi shpejt këtyre pyetjeve, për të gjetur diçka që na lejon të frenojmë virusin.


Vaksinat nevojiten për të trajtuar pacientët e prekur nga Covid-19?

Për trajtimin e epidemive virale, vaksinat janë sigurisht zgjidhja më e mirë sepse ato ulin përhapjen e infeksionit dhe zvogëlojnë numrin e personave të infektuar. Por, për Covid-19, nuk e kemi ende vaksinën. Vaksinat gjithashtu kërkojnë kohë për t'u zhvilluar. Shumë prej tyre janë në zhvillim dhe për disa, është kërkuar tashmë autorizimi i nevojshëm për t'i testuar te njerëzit. Në çdo rast, vaksinat nuk janë arma e duhur për pacientët që kanë sëmundje në zhvillim, për të cilët do të ishin të dobishme barnat që modifikojnë procesin infektiv të virusit.


Atëherë, a ka barna në horizont?

Ashtu si në rastin e HIV-it, për të nxituar (nxitimi është i nevojshëm, për të mos pritur procedurën e zakonshme që kërkohet për miratimin e një bari të ri që mund të arrijë pas 10-12 vjetësh) ne përpiqemi të përdorim ato ekzistuese. E bëjmë këtë në bazë të hamendësimeve dhe hipotezave (pra, jo të sigurisë) të cilat na kanë udhëhequr që nga njohja e biologjisë molekulare të virusit, që e njohim nga dita në ditë. Dhe kështu, në mënyrë të ngjashme me atë që ndodhi me HIV-in, për të cilin bari i parë i përdorur (Azt, që përmendëm më parë) ishte riciklim i një bari të zhvilluar në vitin 1964 si antikancerogjen, sot gjendemi përballë përpjekjes për të përdorur principe aktive që janë tashme të gatshme dhe për të cilat ekzistojnë prova shkencore që sugjerojnë një aktivitet të mundshëm (ama, pa asnjë siguri) kundër Covid-19.

Prandaj, që në në fazat e hershme të infeksionit në Kinë u autorizua përdorimi i interferonit-alfa së bashku me Ritonavir dhe Lapinivir, një koktejl i përdorur me sukses për AIDS. Nga ana tjetër, edhe kombinimi vetëm i Ritonavirit me Lapanivirin, i përdorur gjithashtu me sukses kundër Sarsit, rezultoi i suksesshëm te një pacient me Covid-19.
Në mënyrë të ngjashme, është autorizuar edhe kombinimi i Ribavirinës (pengon sintezën e RNA) me inhibitorët e transkriptazës së kundërt (enzima që lejon që virusi ta shndërrojë Rna-në e tij në ADN), Emtricitabine dhe Tenofovir alafenamide fumarat, që janë shumë të suksesshëm me virusin HIV.

Sidoqoftë, ekzistojnë mendime kontradiktore dhe ka shkencëtarë që këshillojnë shmangien ë barnave që janë shfaqur aktive ndaj viruseve të tjera, por objektivi i të cilave ka një rëndësi të ulët në Covid-19, siç është transkriptaza e kundërt, duke theksuar se coronavirusi nuk ka një predispozitë të veçantë për të përdorur këta objektiva farmakologjikë për proceset e tij vitale. Pavarësisht kësaj, ka studime klinike me këto barna (Baloxavir Marboxil, Oseltamivir dhe Umifenovir) që pritet të japin përgjigjen e tyre në muajin maj.
Rezultate më premtuese duket se priten nga ilaçi Remdesivir, i cili ka raporte të kënaqshme për përdorimin e tij për Ebolan, një virus që për disa, ndan disa aspekte biologjike me Covid-19. Deri në fund të prillit do të dimë nëse dhe sa do të funksionojë ky medikament në Covid-19.

Një parim i ndarë nga disa shkencëtarë është përdorimi i barnave që kanë spektër të gjerë veprimi (pasi dimë ende pak rreth Covid-19) dhe që kanë pak efekte anësore. Në këtë mënyrë kemi më shumë mundësi të kuptojmë edhe disa përbërës të rëndësishëm të Covid-19. Kështu, janë testuar edhe barna të tilla si Favipiravir, të cilat zakonisht përdoren për gripin e tipit A e B dhe, me motivacione të tjera, barna shumë të vjetra si klorurina antimalarike, ose barna shumë të reja, siç janë Mesylate Camostat, Baricitinib dhe Ruloxitinib, barnat anti-HIV dhe, përsëri, antiviralët Saquinavir, Indinavir, Lopinavir dhe Ritonavir, inhibitori i proteazomës carfilzomib, barnat për viruset respiratore sinciciale, për skizofreninë dhe gjithashtu, imunosupresivë.

Ndër barnat që janë në gjendje të modifikojnë përgjigjet imunologjike inflamatore, duhet të përmendet edhe Tocilizumabi, një antitrup monoklonal që përdoret normalisht për trajtimin e disa formave të artritit, të dhuruara nga prodhuesi në Kinë me rastin e infeksionit Covid-19. Nuk është një efekt i drejtpërdrejtë në virus, por një mbështetje e rëndësishme për kontrollimin e procesit inflamator që vjen nga infeksioni serioz. Shkurt, jemi ende në fazë studimi, por ka shumë nisma dhe shumë investime shkencore që tregojnë një koalicion shkencor në të gjithë botën për gjetjen e shpejtë të një zgjidhjeje të përshtatshme për përdorim te pacientët e shtruar në spital dhe veçanërisht, tek ata më kritikë dhe për të kontrolluar këtë emergjencë të papritur.



Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>