mar232020
AIFA pozicionohet në lidhje me përdorimin e inhibitorëve ACE dhe sartaneve, në sëmundjen nga coronavirusi Covid-19
Agjencia Italiane e Barnave është pozicionuar në lidhje me efektin e supozuar të terapive që kanë në bazë të tyre barna antihipertensive që i përkasin klasës së inhibitorëve të enzimës konvertuese të angiotensinës (inhibitorët ACE), ose antagonistëve të receptorit angiotensinë II (sartane), mbi transmetimin dhe përparimin e sëmundjes së coronavirusit (Covid-19). Ajo synon të sqarojë se deri më tani, nuk ka asnjë provë shkencore në lidhje me studimet klinike ose epidemiologjike, por vetëm hipoteza molekulare të verifikuara në studime in vitro.
Prandaj, bazuar në njohuritë e tanishme, konsiderohet i përshtatshëm rekomandimi për të mos e modifikuar terapinë në vazhdim me agjentë antihipertensivë (cilado qoftë klasa terapeutike) te pacientët hipertensivë të mirëkontrolluar, pasi, ekspozimi i pacientëve të brishtë ndaj efekteve të mundshme të reja anësore ose ndaj një shtimi të rrezikut për ngjarje të pafavorshme kardiovaskulare, duket i pajustikuar.
Për të njëjtat arsye, krahasuar me hipotezën e përdorimit të frenuesve ACE dhe sartaneve edhe te njerëz të shëndetshëm për qëllime profilaktike, duhet patur parasysh se këto barna duhet të përdoren ekskluzivisht për trajtimin e patologjive për të cilat ekziston një indikacion i aprovuar dhe i përshkruar në Përmbledhjen e Karakteristikave të Produkteve dhe në fletëudhëzues.
Pozicione të ngjashme janë mbajtur nga Shoqata Italiane e Hipertensionit Arterial [1], nga Shoqata Italiane e Mjekësisë së Përgjithshme dhe Kujdesit Parësor [2], nga Shoqata Evropiane e Kardiologjisë [3] dhe nga Shoqata Italiane e Farmakologjisë [4].
[1] https://siia.it/notizie-siia/farmaci-antiipertensivi-e-rischio-di-covid-19-il-comunicato-della-siia/
[2] https://www.simg.it/supporto-e-condivisione-della-posizione-della-siia-sulluso-degli-ace-inibitori-nella-presente-situazione-epidemica/
[3] https://www.escardio.org/Councils/Council-on-Hypertension-(CHT)/News/position-statement-of-the-esc-council-on-hypertension-on-ace-inhibitors-and-ang
[4] https://www.sifweb.org/documenti/document_2020-03-13_documento-informativo-della-societa-italiana-di-farmacologia-uso-di-ace-inibitori-sartani-ed-infezione-da-covid-19