mar312020
Tromboembolizmi venoz pas kirurgjisë ortopedike. Krahasohen barnat
Nga këndvështrimi i sigurisë dhe i efikasitetit, aspirina nuk ka rezultuar ndryshe nga antikoagulantët e tjerë, kur përdoret për profilaksinë e tromboembolizmit venoz (TEV), pas zëvendësimit të plotë të legenit apo të gjurit, sipas asaj që referojnë Gulraj Matharu (Universiteti i Bristolit) dhe grupi i tij i punës, në një studim të publikuar në "Jama Internal Medicine".
Kërkuesit kanë përfshirë në rishikimin e tyre dhe në metanalizë, 13 studime klinike me përzgjedhje rastësore, që kanë vlerësuar efikasitetin dhe sigurinë e aspirinës për profilaksinë e TEV-it te pacientët që i janë nënshtruar zëvendësimit të legenit apo të gjurit, duke marrë në konsideratë si rezultat primar çfarëdolloj TEV-i postoperator, si asimptomatik, ashtu edhe simptomatik. Rezultate të tjera dytësore kanë përfshirë evente të kundërta të lidhura me terapinë, siç është hemorragjia.
Rezultatet kanë treguar se, pas ndërhyrjes së zëvendësimit të legenit apo gjurit, rreziku relativ (RR) i TRV-së ka qenë i barabartë me 1,12 për aspirinën, krahasuar me antikoagulantët e tjerë. Ekspertët kanë vëzhguar rezultate të ngjashme përsa i përket verifikimit të trombozës venoze të thellë (TVP; RR 1,04) dhe embolisë pulmonare (PE; RR 1,01). Nuk janë vënë re dallime statistikisht të rëndësishme te pacientët që kanë marrë aspirinë, krahasuar me antikoagulantët e tjerë, përsa i përket rrezikut për evente të kundërta, siç është hemorragjia e rëndë, hematoma dhe infeksioni i plagës. Edhe duke marrë në konsideratë rrezikun e TEV, TVP dhe PE për çdo lloj operacioni më vete, nuk ka dalë asnjë dallim statistikisht domethënës mes antikoagulantëve. Në veçanti, të dhënat nuk kanë treguar asnjë dallim statistikisht të rëndësishëm në rrezikun e TEV-it mes aspirinës, heparinës me peshë të ulët molekulare dhe rivaroxabanit.
Autorët theksojnë se niveli i provave në dispozicion ka qenë i ndryshueshëm. "Studimet e ardhshme duhet të përqendrohen në analizat e mungesës së inferioritetit të aspirinës, krahasuar me antikoagulantët alternativë dhe në vlerësimet kosto-efikasitet", përfundojnë autorët.
Jama Int Med 2020. Doi: 10.1001/jamainternmed.2019.6108
https://dx.doi.org/10.1001/jamainternmed.2019.6108