mar242023
Menaxhimi i endometriozës. Përditësimet mbi diagnozën dhe trajtimin
Një studim rishikues i publikuar në "Canadian Medical Association Journal", ofron një përmbledhje të shkaqeve, diagnozës dhe menaxhimit të endometriozës bazuar në provat klinike të publikuara së fundi.
"Endometrioza, një çrregullim mjaft i shpeshtë që mund të shkaktojë dhimbje pelvike dhe infertilitet duke përkeqësuar cilësinë e jetës, përkufizohet si prania e indeve të ngjashme me endometriumin jashtë mitrës. Shkaqet e saj ende nuk janë kuptuar plotësisht dhe aktualisht nuk ka asnjë trajtim që mund ta zgjidhë atë përgjithmonë", shpjegon autorja kryesore Catherine Allaire nga Universitetit të Kolumbisë Britanike në Vankuver, Kanada, e cila bashkë me kolegët kryen një kërkim të fokusuar dhe josistematik të MEDLINE nga viti 1960 deri në janar 2022 duke përdorur termat: endometriozë, patofiziologji, diagnozë, trajtim, dhimbje, infertilitet, kirurgji dhe barna, duke u fokusuar në studimet klinike, udhëzimet, rishikimet sistematike dhe provat me përzgjedhje rastësore.
Terapitë e disponueshme synojnë kontrollin e simptomave dhe përfshijnë shtypjen e hormoneve, kirurgjinë ose një kombinim të të dyja qasjeve, si dhe kujdesin multidisiplinar për të trajtuar dhimbjet e vazhdueshme. Por, për të vendosur një trajtim korrekt, është i nevojshëm diagnostikimi në kohë, megjithëse kirurgjia mund të sigurojë një gjetje përfundimtare histopatologjike, shumica e udhëzimeve ndërkombëtare rekomandojnë një diagnozë jokirurgjikale bazuar në simptomat, rezultatet e ekzaminimit fizik dhe imazherinë për të reduktuar vonesat në fillimin e trajtimit.
"Endometrioza mund të përfshijë sisteme të shumta organesh dhe simptomat e saj, shpesh kronike, mund të ndikojnë ndjeshëm në produktivitetin në punë, jetën sociale, marrëdhëniet intime dhe shëndetin mendor, si dhe të sjellin kosto të konsiderueshme sociale", thotë Allaire, duke përsëritur se njohja e simptomave dhe diagnostikimi i hershëm janë të domosdoshëm për nisjen e menjëhershme të trajtimit.
CMAJ 2023. Doi: 10.1503/cmaj.220637
https://doi.org/10.1503/cmaj.220637