sht252020
Coronavirusi. Mungesa e vitaminës D shton rrezikun. Një studim shpjegon se si
Rezultatet e një studimi retrospektiv që përfshin pacientë të testuar për infeksionin Sars-CoV-2, tregojnë ekzistencën e një lidhjeje mes mungesës së vitaminës D dhe gjasave të prekjes nga sëmundja e shkaktuar prej coronavirusit të ri. "Vitamina D është e rëndësishme për mirëfunksionimin e sistemit imunitar dhe suplementet e vitaminës D kanë treguar tashmë se reduktojnë rrezikun e infeksioneve virale të traktit respirator. Analiza jonë statistikore sugjeron që kjo mund të jetë e vërtetë edhe për infeksionin nga coronavirusi i ri", shpjegon David Meltzer, nga Universiteti i Mjekësisë në Çikago, autori kryesor i studimit të botuar në "Jama Network Open".
Studiuesit studiuan 489 pacientë, te të cilët niveli i vitaminës D ishte matur brenda një viti para se të testoheshin për infeksionin Sars-CoV-2. Kështu, pacientët me mungesë të vitaminës D (vlera nën 20 ng/ml) të cilët nuk u trajtuan kishin pothuajse dy herë më shumë gjasa të dilnin pozitivë për coronavirusin sesa pacientët që kishin nivele të mjaftueshme të vitaminës. Sipas ekspertëve, duke pasur parasysh që gjysma e amerikanëve kanë mungesë të vitaminës D, të kuptuarit nëse trajtimi i kësaj mangësie ndryshon rrezikun e Covid-19 mund të ketë rëndësi të madhe në nivel lokal, kombëtar dhe global.
Kjo, edhe sepse për shkak se nivelet e mungesës janë shumë më të larta tek afrikano-amerikanët, hispanikët dhe ata individë që jetojnë në zona si ajo e Çikagos, ku është i vështirë ekspozimi i mjaftueshëm në diell. Për më tepër, fakti që vitamina D kushton pak, zakonisht është shumë e sigurt për t'u marrë dhe mund të jetë gjerësisht e disponueshme, e bën atë një trajtim shumë të pëlqyeshëm. Autorët argumentojnë se do të jenë të nevojshme studime të reja për të përcaktuar nëse plotësimi i kësaj vitamine mund të zvogëlojë vërtet rrezikun dhe potencialisht, ashpërsinë e infeksionit të ri nga coronavirusi i ri dhe theksojnë nevojën për të kuptuar se cilat strategji plotësuese mund të jenë më të përshtatshme në popullata specifike.
Jama Network Open 2020. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2020.19722
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2020.19722