nën302021
Pandemia ka reduktuar vizitat mjekësore të atyre që kishin më shumë nevojë. Ja, kush e ka shmangur kujdesin shëndetësor
Një në pesë njerëz kanë shmangur kërkimin e kujdesit shëndetësor gjatë karantinës për shkak të pandemisë Covid-19 dhe kjo situatë ka ndodhur shpesh për shkak të simptomave potencialisht urgjente, sipas një studimi të publikuar në PLOS One.
"Gjatë pandemisë, vizitat te mjekët si në kujdesin parësor, ashtu edhe në atë të specializuar, kanë rënë nën nivelet e mëparshme. Nuk është e qartë deri në çfarë mase ka ndikuar në këtë rënia, shmangia e kujdesit shëndetësor nga popullata në përgjithësi", thotë Silvan Licher, nga Qendra Mjekësore Universitare Erasmus Roterdam, Holandë, që ka drejtuar grupin e punës. Studiuesit u dërguan një pyetësor 8,732 pjesëmarrësve në Rotterdam Study, një studim kohorte i krijuar për të hetuar sëmundjet kronike nga mesi deri në fund të jetës, duke mbuluar një sërë temash të lidhura me Covid-19, përfshirë shmangien e kujdesit shëndetësor. Popullsia përfundimtare e marrë në studim ishin 5,656 individë që banonin në rrethin e Roterdamit, Holandë. Ekspertët vunë në dukje se rreth një në pesë (20.2%) të anketuar raportuan se kishin shmangur kujdesin shëndetësor gjatë pandemisë. Nga këta, 414 individë (36.3% e shmangësve) raportuan simptoma që mund të kërkonin kujdes urgjent mjekësor, duke përfshirë dobësinë e gjymtyrëve (13.6%), palpitacionet (10.8%) dhe dhimbjet e gjoksit (10.2%). Grupet më të prirura për të shmangur kujdesin shëndetësor përfshinin gratë, njerëzit me shëndet të dobët dhe ata me nivele të larta depresioni dhe ankthi. Arsimimi i ulët, mosha e madhe, papunësia, pirja e duhanit dhe shqetësimet për mundësinë e kontraktimit të COVID-19 janë shoqëruar gjithashtu me shmangien e kujdesit shëndetësor.
"Rezultatet e studimit tonë sugjerojnë se shmangia e kujdesit shëndetësor gjatë COVID-19 mund të jetë e përhapur mes atyre që kanë më shumë nevojë për të në popullatë dhe këto gjetje kërkojnë fushata në mbarë popullatën për t'i shtyrë këta njerëz të kontaktojnë mjekun e tyre të kujdesit parësor, ose specialistin, për të raportuar simptoma alarmante ose në dukje të parëndësishme", përfundojnë autorët.
PLOS One 2021. Doi: 10.1371/journal.pmed.1003854